Reagim i kryetarit të Ferizajt Muharrem Svarqa
Presidenca të mos anashkalojë figura si Gjon Serreçi e Abdullah Musliu
Këto ditë ndjeva kënaqësi të madhe për dekorimin me urdhrin “Hero i Kosovës” të 108 luftëtarëve të lirisë nga ana e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, midis të cilëve edhe ferizajasit Driton Islami, Hyrë Emini, Naim Beka e Sadik Bega. Ky nderim për të dalluarit në luftën për liri e pavarësi, na bën nder të gjithëve dhe shpreh përkushtimin e institucioneve shtetërore për t’u dhënë vendin e merituar figurave që i dhanë emër e përmbajtje historisë sonë më të re.
Por, u ndjeva i zhgënjyer që, edhe me këtë rast, presidenca anashkaloi figura të rëndësishme, që vepruan, rrezikuan, vuajtën dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë tonë, si Gjon Serreçi e Abdullah Musliu. Dy herë gjatë një viti e gjysmë i kam bërë kërkesë zyrtare presidencës, që këto dy figura, që dhanë kontribut të veçantë në luftën për të drejta kombëtare, duke bërë burgje të rënda dhe duke sakrifikuar edhe jetën, të nderohen me urdhrin më të lartë “Hero i Kosovës”.
Ne ende presim përgjigjen në këto kërkesa, me shpresë se do të përmbushen ndonjëherë.
Ferizaj, 10 mars 2017 Muharrem Svarqa
Kryetar i Ferizajt