Ferizaj.13.11.2017. Dega e LDK-së në Ferizaj, ka bërë hapjen e fushatës në fshatin Dardani, ku të pranishëm kanë qenë edhe banorët e fshatrave, Fshati i vjetër, Bibaj dhe Sojevë.
Aty qytetarëve iu është drejtuar kandidati i LDK-së për kryetar, Muharrem Svarqa që siç ka thënë ndjehet i lumtur për punën që ka bërë në mandatin e fundit në këtë komunë, njofton Klan Kosova.
Ai nga Dardania ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nisma-n që tu bashkohen për të udhëhequr Ferizajn edhe një mandat.
“Jam i lumtur që në mandatin tonë kemi krijuar kushte të mira për bizneset në Ferizaj dhe rritje të numrit të bizneseve. Jam i sigurt që qytetarët kanë përjetuar një zhvillim të përgjithshëm. Kam kënaqësinë tu njoftoj se gjatë kësaj qeverisje kemi marrë përsipër pagesën e shujtave për nxënës deri në klasën e pestë”, ka thënë ai.
E me partnerin e koalicionit në këtë komunë, AKR-në ka thënë se do të heqin shpenzimet edhe për fëmijët e që ndjekin mësimet në klasën e gjashtë.
“Ne do të punojmë me përkushtim maksimal duke i përkrahur me të gjitha mundësitë që kemi edhe bizneset e reja.Spitali i ka kaluar të gjitha fazat tash vetëm pritet të fillojnë punimet”, është shprehur ai.
Svarqa ka thënë se në katër vitet e ardhme do të zgjidhin edhe problemin e ujit të pijes.
Ai ka folur edhe për akuzat për blerje vote.
“Unë nuk e dua votën e blerë. Dua votën tuaj të pastër.Kjo dukuri e blerjes së votës ka hyrë në politikë nga PDK Me ata që i bëjnë këto vepra le të merret prokuroria”, ka thënë ai më tej.