Ky vendim ka ardhur nga mbledhja e prindërve që banorët kanë pasur në lagjen Brahaj, nga që sipas tyre fëmijët rrezikohen duke ecur në këmbë.
“Jemi të shqetësuar dhe brengosur se fëmijët tanë janë duke shkuar në shkollë fillore dhe është një largësi mjaft e madhe që ata e bëjnë rrugën deri te shkolla dhe është rreth 3 kilometra vetëm njëra rrugë që do të thotë 6 km të dy rrugët e që fëmijët e bëjnë rrugën në këmbë me çanta të rënda dhe me rreziqe që janë gjatë rrugës me ngrica e me rreziqe nga qentë endacak e me një pjerrtësi mjaft të madhe,” ka thënë një banor i lagjes Brahaj për TherandaPost.
Ata thonë se komuna e Suharekës e ka anuluar tenderin për bartjen e nxënësve.
Mirëpo, reagimeve të këtyre banorëve iu është përgjigjur kryetari i komunës, Sali Asllanaj. Ai ka thënë se komuna është në procedurë të zgjedhjes së transportuesit të nxënësve.
“Kemi pas fatin e keq që në dy procedura të udhëhequra ka pas vetëm një ofertues i cili ishte me mime jo ekonomike,” ka deklaruar Asllanaj në rrjetin social facebook.
“Shpresojmë që shumë shpejt do ta bëjmë transportin edhe të këtyre nxënësve siq e bëjmë për vite me radhë”, është shprehur kryetari Asllanaj.