Zëdhënësi i Universitetit të Prishtinës, Afrim Hoti tha se Universiteti i Prishtinës ka humbur një student të shkëlqyer.
“Të them të drejtën, realisht jemi ndjerë jashtëzakonisht keq sepse kanë qenë dy ditë të kobshme për Universitetin e Prishtinës për faktin që kemi humbur një student të shkëlqyer, një student shumë të zellshëm një djalosh të jashtëzakonshëm . Prandaj, i gjithë stafi i Universitetit të Prishtinës, profesorë dhe studentë ndihen skajshmërisht keq dhe mbi këtë bazë bashkë me Parlamentin e Studentëve sot kemi organizuar homazhe dhe ndezje qirinjsh. Bashkë me familjet e tyre dhe me gjithë qytetarët e Kosovës, të ndajmë dhimbjen bashkërisht”, tha Hoti.
Kurse, kryetari i Parlamentit të Studentëve, Musa Berisha është shprehur i shqetësuar për vdekjen e shokut Astrit Deharit dhe iu bëri thirrje institucioneve të Kosovës që t’i bëjnë zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.
“Ne studentët e Universitetit të Prishtinës jemi të shqetësuar për vdekjen e studentit, kolegut dhe shokut tonë Astritit. Gjithashtu ne studentët e Universitetit të Prishtinës, iu bëjmë thirrje institucioneve të republikës së Kosovës, që ti bëjnë të gjitha hetimet në mënyrë që të zbardhen detajet të cilat dërguan në vdekjen e Astritit. Ngushëllime familjes, shokëve, studentëve dhe gjithë atyre që njohën Astritin”, tha Berisha.
.