Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj filloi realizimin e Marrëveshjes, të cilën e bëri kohë më parë me Universitetin e Ekologjisë dhe Menaxhmentit në Varshavë të Polonisë, në kuadër të programit Erasmus+. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është, shkëmbimi i përvojave universitare në mes të studentëve, stafit akademik dhe stafit administrativ.
Studentët e parë që patën fatin të fillojnë studimet për një semestër në këtë Universitet janë Alma Topalli dhe Alberta Maloku, studente të Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari gjatë takimit që ka pasur me këto dy studente, u shpreh i kënaqur për fillimin e realizimit të kësaj Marrëveshje dhe sipas tij marrëveshjet e tilla do të realizohen edhe në të ardhmen, në mënyrë që studentët të përfitojnë njohuri dhe përvoja të reja nga universitetet evropiane dhe më gjerë.
Rektori theksoi se kjo është një mundësi e mirë që përvojat, të cilat do të merren nga universitete të njohura, si ky i Varshavës, janë të domosdoshme për vendin tonë, prandaj i porositi studentet që të tregojnë vëmendje maksimale gjatë qëndrimit atje dhe të marrin sa më shumë njohuri për përgatitjen e tyre akademike.
Ndërsa, studentet Topalli dhe Maloku falënderuan rektorin Bajraktari për këtë mundësi që iu është krijuar atyre dhe theksuan se do të jenë të përkushtuara gjatë këtij semestri, në mënyrë që suksesi i tyre të jetë edhe krenari për Universitetin, por edhe dobiprurës për ekonominë e vendit.
Universiteti i Ekologjisë dhe Menaxhmentit në Varshavë është njëri ndër universitetet më të njohura në Poloni me 14 njësi akademike, i cili zbaton dy standarde të Arsimit të Lartë të Polonisë dhe atij evropian. Posedon me punëtori dhe laboratore të pajisura me teknologji profesionale.