05,12,2024

Spitali i Ferizajt pajiset me 20 shtretër të rinj, pacientët shprehen të kënaqur

Must Read

Katër orët e qëndrimit në Spitalin e Ferizajt për të marrë shërbimin e dializës, Qibrije Bibaj po i kalon në një shtrat të ri, ku ka gjetur rehatinë e munguar që 5 vjet. Në Repartin e Dializës, ajo kalon një pjesë të ditës dhe ndihet e kënaqur me shtratin, i cili, bashkë me 19 tjerë, ka zëvendësuar shtretërit e vjetër, të dalë kohe, që nuk ia kanë ofruar qetësinë pacientëve asnjëherë. 

“Tash, është shtrati i mirë, i kena pasë shumë krevatet e dobëta, çka të bëjmë, është dashur të kalojmë qashtu. Është dashur t’i çojmë vetë me dorë, qysh e rregullonin njëherë, ashtu mbetnin. Tash, vetë qysh po du, e lëshoj rrafsh, prapë e ndreqi ma lart. Shumë mirë e kena shtratin”, shprehet Bibaj, citohet në njoftimin e SHSKUK-së, transmeton Gazeta Shneta.

Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e SHSKUK-së kanë ndarë këtë 20 shtretër të lëvizshëm, me katër thyerje, për Spitalin e Ferizajt. Time Azotiç nga Hani i Elezit, e cila trajtohet në Spitalin e Ferizajt, duke bërë krahasim me shtratin e vjetër, thotë se i riu është shumë më i përshtatshëm.

“Po më përshtatet shumë, më mirë se ata të parët që kanë qenë. Shumë më pushon trupi, nuk kam dhimbje në këtë shtrat, shumë mirë është. Ky shtrat është shumë më i mirë sesa ai tjetri”, thekson Azotiç.

Reparti i Dializës ka 25 shtretër dhe ofron shërbime 24 orë. Aktualisht, në Spitalin e Ferizajt, trajtohen 81 pacientë, ndërsa gjatë verës numri rritet, pasi që aty marrin tretman edhe raste nga diaspora.

Drejtori i Spitalit, dr. Jeton Zeqiri, thotë se ndryshimet e fundit i japin një pamje tjetër pavijonit dhe ngritin cilësinë e shërbimeve për pacientët. Sipas tij, furnizimi me shtretër të rinj ka qenë i domosdoshëm.

“Shtretërit, të cilët kanë qenë më herët në spitalin e Ferizajt, kanë qenë të amortizuar dhe jofunksional. Kemi gjetur mirëkuptimin dhe qysh në momentin e parë kemi pranuar 20 shtretër dhe tash, ecuria e punës është shumë më relaksuese dhe pacientët janë të kënaqur me shërbimet”, thotë Zeqiri.

Makfir Lozha, kryeinfermier në Repartin e Dializës,  në anën tjetër, deklaron se investimet e fundit e kanë bërë më të lehtë punën e stafit, derisa pacientët ndihen më mirë.

“Pacientët ankoheshin në boshtin kurrizor, sepse ishin dyshekët e hollë dhe nuk kishte lëvizje me elektronikë sikur tani, kurse tani ndihen shumë më komod, sa i përket anës së tretmanit”, pohon Lozha. Përveç qytetarëve të Ferizajt, në këtë repart trajtohen edhe pacientë nga Komuna e Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës, përfundon njoftimi i SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident komunikacioni rrugor me fatalitet në Kaçanik

Me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img