As nesër s’ka mësim. Greva vazhdon deri në realizimin e kërkesave të mësimdhënësve. Zyrtarë të SBASHK’ut kanë thënë se s’ka asnjë lëvizje në drejtim të realizimit të kërkesave. Qeveria dhe Ministria e Arsimit vazhdojnë të mos japin përgjigje.
Qindra mijëra nxënës anembanë Kosovës do të qëndrojnë në shtëpi edhe për një kohë pasi Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka vendosur të mos heq dorë nga kërkesat e tyre.
Të hënën fillon java e tretë e gjysmëvjetorit të dytë të shkollave fillore dhe të mesme, por që arsimin e gjen në kolaps. Gjatë kësaj kohe nuk është mbajtur asnjë orë mësimore pavarësisht thirrjeve të prindërve që mësimi të fillojë. Situata nuk pritet të ndryshojë as ditëve në vijim kjo sepse Qeveria nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje të pranueshme për mësimdhënësit.
Në një bisedë telefonike nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha se greva vazhdon pasi nuk ka lëvizje nga qeveria për plotësimin e kërkesave të tyre.
Kërkesat kryesore të tyre janë të ngritën koeficientët së paku 30% për sektorin e arsimit apo tërheqja e Ligjit për Pagat.
“Dje nuk kemi pas kurrfarë takimi me ndonjë zyrtarë të Qeverisë, greva vazhdon edhe nesër. Nuk ka kurrfarë lëvizje as ministri Shyqyri Bytyqi nuk ka dhënë ndonjë ofertë konkrete për plotësimin e kërkesave tona, nga takimi që patëm ditën e premte. Greva vazhdon deri në realizimin e kërkesave tona ose ngrita 30 për qind e koeficientit të pagave ose tërheqja e Ligjit për Paga”, tha Shala për Gazetën Express.
Në tërë këtë situatë ministri Shyqyri Bytyqi vazhdon të mos prononcohet për media. As gjatë ditës së dielë ministri nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.
Greva e mësimdhënësve është vazhdimësi e grevës së mjekëve.
Vendin po e presin edhe dy greva të reja që pritet të fillojnë ditën e martë. Njëra e 22 mijë shërbyesve civilë të cilët po kërkojnë nivelizimin e pagave dhe tjetra e rektorëve që po kërkojnë shkarkimin e Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, për mos akreditimin e dhjetëra degëve të universiteteve publike në Kosovë.
Qeveria nuk ka dalë me ndonjë zgjidhje as për dy grevat e fundit, pavarësisht paralajmërimeve se ato do të fillojnë të martën.
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi i ka thënë Gazetës Express se nëse Qeveria nuk reflekton deri të hënën, ditën e martë do të fillojë greva. Deklaron se kjo grevë do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Zymberi ka thënë se vetë Qeveria ua kishte premtuar rritjen e pagave për 20 për qind gojarisht, derisa tash kur po ua kërkojnë ofertën me shkrim, ekzekutivi po hesht.
Po ashtu edhe rektori i UP-së Marjan Dema tha se nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për plotësimin e kërkesave të tyre, që rrjedhimisht i bie se në grevë po hyjnë edhe universitetet publikë të Kosovës./Gazeta Express