25,12,2024

Sjellje vetëvrasëse të veteranëve të luftës

Must Read

Sipas disa shënimeve nga viti 2000-2015 mbi 50 veteran të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje

Lufta zakonisht definohet si formë përfundimtare e luftës politike në të cilën si mjete përdorën armë të ndryshme. Lufta në nivelin e personalitetit të njeriut është situatë e jashtëzakonshme, katastrofë e shkaktuar me qëllim, e cila e detyron të aktivizoj  numrin maksimal të mbrojtjeve (fizike, psikologjike e tj.) dhe të krijoj një sjellje të caktuar. Nuk ekziston adaptim në të luftuarit dhe të gjithë ushtarët (edhe civilët) janë të nënshtruar thyerjeve psikologjike varësisht nga stresi ndaj të cilit iu janë eksponuar. Lufta si burim i ngjarjeve traumatike shkakton ndryshime në personalitetin e të gjithë personave të cilët janë të përfshirë në mënyrë direkte apo indirekte në operacionet e luftës. Ngjarjet traumatike te shumica e pjesëmarrësve të luftës shkakton frikë, humbje të kontrollit dhe ndjenjën e kërcënimit kalimtar, kurse te një numër i caktuar i pjesëmarrësve të luftës shkakton ndryshime psikike (mendore) deri te niveli i ndryshimeve të përhershme të personalitetit, posaçërisht pas përjetimit të përvojave traumatike.

Një prej formave të përgjigjes psiko-fizike ndaj veprimit të stresorit është çrregullimi i stresit posttraumatik. Shfaqet 30-80% te të mbijetuarit nga ngjarja traumatike, 18-54% te veteranët e luftës, 17-67% te robërit e luftës. Eksponimi ndaj shumë stresorve gjatë luftës e çrregullon ekuilibrin psiko-social të individit, e te disa vjen edhe te shkatërrimi total i sistemit mbrojtës, që mund të çojë edhe në vetëvrasje.

Hulumtimet e deritanishme tregojnë se veteranët e luftës që vuajnë nga Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik kanë një risk më të lartë për sjellje vetëvrasëse. Rrezikun nga vetëvrasja nuk e rritë vetëm ÇSPT-ik, por edhe ndjenja intensive e fajit, depresionit dhe çrregullimet e tjera psikiatrike të cilat ndodhin me ÇSPT-ik.

Veteranët e luftës të cilët vuajnë nga ÇSPT-ik janë më të prirur për sjellje vetëvrasëse, zakonisht gjatë përvjetorëve të ndryshëm apo periudhave kur kanë ndodhur ngjarjet traumatike të rëndësishme për të, pas vdekjes të ndonjë shoku, vetëvrasjes apo tentim vetëvrasjes  të ndonjë veterani, të cilin edhe nuk e njohin, por për të cilin lajmërojnë mediumet. Në disa raste veteranët e luftës tentojnë të bëjnë vetëvrasje edhe pasë ndonjë mosmarrëveshje në familje.

Sjellja vetëvrasëse mund të jetë e dukshme dhe e fshehur. Sjellja vetëvrasëse e dukshme është kërcënimi me vetëvrasje, kërcënimi me tentim vetëvrasje deri te vet akti i vetëvrasjes. Kërcënimi me vetëvrasje i veteranit të luftës mund të ndodhë në kohë dhe mënyrë të parashikuar pas një konflikti në familje apo konflikti me ndonjë person tjetër me rëndësi. Nga njëherë me kërcënime të tilla familja disi adaptohet dhe pohojnë se sa herë që veterani kërcënon me vetëvrasje ka për qëllim të merr atë që dëshiron apo të bëhet ashtu si që ai dëshiron. Kjo sjellje merr karakterin e sjelljes manipulative dhe fitohet përshtypja se veterani me kërcënim për vetëvrasje manipulon me anëtarët e familjes, por kjo nuk do të thotë se një veteran i cili flet dhe kërcënon me vetëvrasje nuk është i gatshëm edhe të bëjë atë. Sipas disa hulumtimeve, një prej dhjetëve të cilët kërcënojnë me vetëvrasje edhe bëjnë vetëvrasje. Në mesin e atyre që kanë bërë vetëvrasje, rreth 30-40%  prej tyre,  më parë disa herë kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje. Të gjitha këto që u përmendën më sipër ndikojnë te anëtarët e familjes të veteranit të jen vazhdimisht në gjendje ankthi dhe shqetësimi që vetëvrasja mos të ndodhë.

Pos sjelljeve të vetëvrasjeve të veteranëve të luftës të cilat janë të dukshme ato mund të jen edhe të fshehura, si që janë p.sh. rastet e vdekjeve në aksidentet rrugore, mbi doza me ilaçe, mbi doza e substancave narkotike, apo format tjera të sjelljeve vetë shkatërruese.

Shumë veteran me sjellje vetëvrasëse, të cilët vuajnë nga ÇSPT-ik mendojnë se vetëvrasja është e vetmja zgjidhje për të gjitha problemet që i kanë dhe me vetëvrasjen e tij bëjnë një “shërbim” të mirë anëtarëve të familjes, i liron  ata nga vuajtja dhe mundimet që i shkakton jeta me të. Si kur të mos ishte ai, familja do të jetoj më lehtë,shoqëria në përgjithësi do ti ndihmonte më shumë familjes pa atë.

Ekzistojnë disa faktorë të cilët e rrisin rrezikun për vetëvrasje te ata të cilët vuajnë nga ÇSPT-ik, disa prej tyre janë :

  • Izolimi shoqërorë,tërheqja nga shoqëria dhe vetmia
  • Posedimi i armëve
  • Konsumimi i alkoolit dhe substancave narkotike
  • Depresioni
  • Ndjenja e pashpresës, pafuqisë dhe mungesa e perspektivës
  • Faji, sidomos faji i pazgjidhur për pjesëmarrjen e tij në vrasje apo në rrethanat tjera të luftës
  • Mungesa e përkrahjes së shoqërisë, posaçërisht me rastin e punësimit, meritave për pjesëmarrje në luftë,mungesa e përkrahjes dhe mirëkuptimit nga ana e anëtarëve të familjes.
  • Ndërprerja e papritur përdorimit të ilaçeve për depresion, ankth apo simptomave të ÇSPT-ik.
  • Ndërprerja e papritur e pjesëmarrjes në takimet e shoqatës të veteranëve të luftës.
  • Dhimbjet fizike kronike.

Si në shumicën e vetëvrasjeve ashte edhe te vetëvrasjet e veteranëve ekzistojnë disa shenja paralajmëruese gjegjësisht shenja apo simptome që tregojnë në mundësin e vetëvrasjes. Disa nga shenjat paralajmëruese janë :

  • Kërcënimi me vetëvrasje, idetë dhe qëllimet që lidhen apo kanë të bëjnë me vetëvrasjen.
  • Mesazhet vetëvrasëse me anë të letrave dhe vizatimeve
  • Mbi fillimin e ndarjes së pasurisë të përbashkët,përfundimin e punëve të filluara më herët, shkrimi i porosive dhe kështu me radhë.
  • Tërheqja e theksuar nga familja, miqtë, refuzimi i marrjes së ilaçeve
  • Ndryshimi i shprehive të ushqyerit, që rezulton me humbjen apo shtimin e papritur të peshës
  • Ndryshimi në shprehitë e fjetjes
  • Humbja e interesit për aktivitetet në të cilat më parë kishte gjetur kënaqësi
  • Vështirësitë në të përqendruarit
  • Nxitja e problemeve në familje
  • Konflikti me personin me rëndësi
  • Problemet në punë
  • Sjellje të dhunshme

 

Edhe  pse anëtarët e familjes nuk kanë nevojë të vlerësojnë mundësin e vetëvrasjes të veteranit , megjithatë duhet të jen të vetëdijshëm për faktorët të cilët e rrisin mundësin për vetëvrasje. Çdo shenjë paralajmëruese për vetëvrasjen e mundshme të cilën e hetojnë duhet të orientojnë aktivitetet  e veta në drejtimit të kërkimit të ndihmës për bindjen e veteranit për pranimin e mjekimit. Mundësia për vetëvrasjen e veteranit rritet nëse veterani përpilon (përpunon) një plan për vetëvrasje. Shpesh veteranët të cilët kanë mendime vetëvrasjeje mirëpo nuk kanë plan të përpunuar për vetëvrasje kanë deklaruar se frikohen për të qenë vetëm. I frikohet vetëvrasjes dhe nuk ka guxim të shkon pran dritares. Frika për të mos qenë në gjendje për të ndalur, që mos të hedhet nga dritarja e bënë at, që shumë shpejtë të braktisë banesën dhe të gjejë shoqërinë me të vetmin qëllim për të mos qenë i vetëm. Mbi mendimet dhe frikën e vet nuk I tregon askujt, gjithashtu nuk i tregon askujt  pse frikohet të jetë i vetëm në banesë (shtëpi). Në situatat kur veterani përjeton zërat të cilët  e “urdhërojnë” për të vepruar kështu atëherë është i domosdoshëm kontrolli në spitalin neuropsikiatrik.

Veterani i cili ka mendime vetëvrasjeje dhe i cili për këto mendime nuk mund të flet, është nën riskun e madh për të bërë vetëvrasje. Është shumë e rëndësishme që veterani për mendimet e tij për vetëvrasje të flet me anëtarë tjerë të familjes apo me persona tjerë të cilët i njeh. Në fakt deri sa mbi mendimet e tij për vetëvrasje mund të flet, ekziston shpresa se ai do t’iu largohet mendimeve për vetëvrasje, gjegjësisht do të hekë dorë nga vetëvrasja.

Ashtu si që është me rëndësi fakti për veteranin, që ai është i vetëdijshëm për nevojën e tij që të flasë për mendimet e tija vetëvrasëse, gjithashtu me rëndësi është që anëtarët e familjes apo të tjerët që për veteranin janë të rëndësishëm të dinë se është me rëndësi të flitet me personin që ka synime për vetëvrasje. Nuk duhet pas frikë nëse flitet me veteranin për vetëvrasjen se ai do të inkurajohet apo nxitet për të bërë vetëvrasje. Shumë veteranë që kanë mendime për vetëvrasje përjetojnë lehtësim kur i jepet rasti që të bisedojnë për këtë temë me persona tjerë.

Veteranët e luftës mendimet dhe synimet e para zakonisht ua zbulojnë bashkëshorteve të tyre apo anëtarëve tjerë të familjes.

Nganjëherë veterani me vetëvrasjen e tij dëshiron të i hakmerret shtetit për pakënaqësinë e tij për gjendjen në të cilën gjendet. Në rastin e vetëvrasjes së mundshme, gjegjësisht kur hetohen shenjat e sigurta të vetëvrasjes, anëtarët e familjes duhet urgjentisht të thërrasin mjekun apo ndonjë person tjetër në të cilin veterani ka besim dhe për të cilin mendojnë se mund të ndihmon dhe në të njëjtën kohë anëtarët e familjes së veteranit nuk kanë asnjë arsye për të fshehur veprimet të cilët i kanë ndërmarrë. Në këtë mënyrë anëtarët e familjes i tregojnë se pavarësisht për synimin për të vrarë veten ai duhet të ballafaqohet me ata dhe njëherit të” luftoj” për jetë. Reagimet e tilla të anëtarëve të familjes, veçanërisht të bashkëshortes si dhe vëmendja dhe kujdesi që iu kushtohet veteranit mund të ndikoj në kthimin e shpresës dhe vetëbesimit nga se dikush kujdesët për të dhe jeta ka vlerë dhe vlen të jetohet. Në këtë mënyrë mund edhe të arrihet qetësimi i krizës për vetëvrasje. Qetësimi për të bërë vetëvrasje nuk do të thotë se veterani ka hekë dorë nga qëllimi për vetëvrasje. Nganjëherë stabilizimi dhe disponimi më i mirë pas krizës vetëvrasëse mund të jetë rezultat i ndonjë vendimi të brendshëm për të bërë vetëvrasje në një të ardhshme dhe në këtë mënyrë të përfundon ekzistimin e dhimbjeve shpirtërore dhe të pashpresës.

 

 

Ndikimi i sjelljeve vetëvrasëse të veteranëve të luftës në familje

Studimet kanë treguar se vetëvrasja e mëhershme në familje është një faktorë riskupër vetëvrasje të anëtarëve tjerë të familjes. Kështu, në disa raste, te familjet e veteranëve të luftës ku veteranët kanë kërcënuar me vetëvrasje apo edhe kanë bërë vetëvrasje ngjashëm me ta edhe fëmijët e tyre kanë kërcënuar me vetëvrasje apo kanë bërë vetëvrasje. Kur babai flet për vetëvrasje apo bënë vetëvrasje atëherë ai iu ofron fëmijëve modelin e sjelljes vetëvrasëse dhe fëmijët krijojnë ndjenjën e pafuqisë dhe dëshpërimit. Fëmijët e veteranëve që kanë bërë vetëvrasje mund të zhvillojnë simptomat e Çrregullimit të stresit posttraumatik dhe ndjenjën e fajësisë, që te fëmijët mund të zgjasë gjatë tërë jetës, sidomos në rastet kur fëmiu i pari e zbulon trupin e babait të tij i cili ka bërë vetëvrasje. Fëmijët janë në rrezik të veçantë nga shkaku se ata nuk janë të vetëdijshëm se çfarë janë duke i bërë vetes me tentim vetëvrasje apo vetëvrasje. Fëmijët dhe adoleshentët janë më të prirur për impulsivitet, gjithashtu janë më të prirur që problemet jetësore ti shohin si të përjetshme e jo si të përkohshme. Intensivisht mund të reagojnë ndaj disa situatave të cilat për të rriturit duken të parëndësishëm. Për problemet e të rinjve dhe adoleshentëve, pa marrë parasysh se duken të parëndësishëm gjithsesi duhet të bisedohet. Mendimet për vetëvrasje të fëmijëve dhe adoleshentëve nuk duhet të injorohen dhe fëmijët dhe adoleshentët duhet bindur se duhen të flasin me të tjerët për problemet e tyre. Prindët e fëmijëve dhe adoleshentëve me mendime për vetëvrasje duhet ti ofrojnë të gjithë mbështetjen e nevojshme. Nganjëherë fëmijët dhe adoleshentët refuzojnë ndihmën për shkak të gjendjes së vështirë financiare të prindëve duke menduar se kjo është një kosto shtesë për prindët. Mesazhi të cilin fëmijët duhet të marrin nga prindët është se ndihma për të cilën kanë nevojë fëmijët nuk është një luks, por një domosdoshmëri nga se jeta e fëmijëve vlen më shumë se çdo gjë.

Bashkëshortja e veteranit mund gjithashtu  të filloj të  mendoj për vetëvrasje, të planifikoj, të bënë përpjekje dhe të bëjë vetëvrasje. Mendimet e shpeshta dhe të vazhdueshme për vetëvrasje, edhe atëherë kur nuk ka plan për vetëvrasje, në të vërtetë reflekton një dëshpërim të thellë, trishtim të shtypur të bashkëshortes të veteranit që shpesh është një shenjë se bashkëshortja e veteranit ka nevojë për ndihmë mjekësore profesionale.Nëse bashkëshortja tenton vetëvrasje atëherë ky është një tregues për trajtim psikiatrik në spital. Më së shpeshti bashkëshortja e veteranit për të mos bërë vetëvrasje e dekurajon ndjenja e fortë e përgjegjësisë për fëmijët e tyre. Bashkëshortet të cilat tentojnë të bëjnë vetëvrasje apo shpesh mendojnë të bëjnë vetëvrasje janë gratë që janë abuzuar fizikisht apo që kanë pasur përvojën e abuzimit seksual. Në të vërtetë, gratë që kanë përjetuar abuzim në fëmijëri dhe të cilat jetojnë në bashkëshortësi me veteranin e dhunshëm i cili nuk është mjekuar ose herë pas here është përfshirë në trajtim, janë më të prirura për tentim vetëvrasje apo vetëvrasje. Në prapavijë të kësaj që është theksuar shpesh është urrejtja ndaj vetvetes,ndjenja e pavlefshmërisë dhe vetë akuzimi. Gruaja dhe fëmijët të cilët jetojnë me veteranin i cili ka një risk të madh për të bërë vetëvrasje jetojnë në një presion të vazhdueshëm dhe mund të kenë mendime dhe ndjenja se ata janë shkak i dëshirës së tij për të bërë vetëvrasje dhe mund të ndihen përgjegjës për dëshirën e tij për vetëvrasje. Kur veterani fillon të flas për vetëvrasje atëherë bashkëshortja dhe fëmijët duhet patjetër të jen vigjilent, të përcjellin gjendjen e tij, posaçërisht bashkëshortja duhet të marrë obligim shtesë me qëllim që bashkëshortit ti lehtëson jetën sa më shumë që të jetë e mundur.

Gjithsesi institucionet shtetërore duhet të angazhohen më shumë në rastet kur veteranët e UÇK-së kanë probleme dhe janë të prekur nga çrregullimi i stresit postraumatik.

Agim Arifi

(Autori është Sociolog nga Ferizaj)

Pjesë nga libri në dorëshkrim “Vetëvrasjet-Pse

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img