Ferizaj.06.10.2016. Të enjten në Ferizaj, është mbajtur një takim me drejtorët e shkollave, këshillin e prindërve dhe arsimtarëve, me zyrtarë policor si dhe drejtues të Komunës së Ferizajt, për të diskutuar çështjen e sigurisë nëpër shkollat e qytetit të Ferizajt.
Me këtë rast Nazmi Hoxha, nga këshilli i prindërve, tha se këto takime janë shumë të rëndësishme për të diskutuar çështje të shumta sa I përket arsimit në komunën tonë.
Ndërkaq kryetari, Muharrem Svarqa, tha se Komuna e Ferizajt, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Ne kemi bërë investime plotësuese siç janë kamerat e sigurisë që bëjnë vëzhgimin e qytetit për 24 orë vetëm e vetëm që siguria ne qytet të jetë sa me lartë. Po ashtu kemi bërë edhe zgjerimin e hapësirave shkollor aty ku e kemi pa të nevojshme që të investohet, ndërkaq në një pjesë të shkollave është duke vazhduar investimi në shkallë më të lartë. Në bazë të propozimeve të këshillit të prindërve të nivelit komunal, ne po punojmë në hartimin e projekteve për rritjen e shkalles së sigurisë, tek kompleksi i shkollave në rrugën “Rexhep Bislimi” për vendosjen e një mbikalimi atraktiv me shkallë lëvizëse”, ka thënë kryetari Svarqa.
Nga ana tjetër Valentina Tuniç nga Caritas i Kosovës, ka prezantuar edhe një projekt që po bënë kjo organizate kundër trafikimit të qenieve njerëzore, projekt ky që ka filluar qysh nga viti 2006 , e i cili me aktivitete e veta do të zhvillohet nëpër shkollat e qytetit të Ferizajt.
Edhe komandanti i stacionit policor në Ferizaj, kapiten Qazim Reka, të pranishmit i ka njoftuar me situatën e sigurisë në qytetit e Ferizajt, me theks të veçanta sigurinë nëpër shkollat e qytetit tonë.
U bë e ditur se takime të tilla do të bëhen edhe në të ardhmen me qëllim të vetëm që të kemi një siguri sa më të lartë nëpër shkollat e qytetit të Ferizajt.