27,11,2024

Si t’i mbijetojmë epokës Trump

Must Read

Çdo pikëpamje se si mund të ecet përpara, aktualisht është thjesht një ide e përkohshme për shkak se Trump nuk ka dhënë ende asnjë detaj mbi ligjet që propozon ndërsa kongresi e gjykatat nuk i janë përgjigjur në tërësi urdhrave ekzekutiv të tij, por pranimi i pasigurisë se krijuar nuk duhet të konsiderohet si një justifikim për mohim.

Përkundrazi tani është e qartë se ajo çfarë thotë Trump ose shkruan në Twitter duhet të merret seriozisht. Pas zgjedhjeve të nëntorit kishte shpresë universale se ai do heq dorë nga ekstremizmi që e karakterizoi fushatën e tij. Natyrisht ishte menduar ky mjeshtër i irealitetit do të miratoj një personalitet tjetër pasi ai mori përgjegjësin që të jetë në pozitën e ashtuquajtur më të fuqishme në botë, transmeton lajmi.net.

Diçka e ngjashme ndodhë me çdo president të ri të SHBA-ve, pavarësisht nëse ne e votuam ose jo, ne projektojmë mbi të imazhin që dëshirojmë të kemi për president. Mirëpo, përderisa shumica e zyrtarëve të zgjedhur hapin krahët dhe përpiqen të pranohen nga të gjithë njerëzit, Trump nuk ka lënë vend për dyshime mbi atë që ka thënë më herët: ndalim të myslimanëve, një mur në kufi me Meksikën, rinegociim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës veriore, anulim të reformave financiare Dodd-Frank të vitit 2010 dhe çdo gjë tjetër që edhe përkrahësit e tij nuk e kanë pëlqyer.

Me raste unë kam kritikuar disa aspekte të caktuara dhe politika të ekonomisë dhe rendit të sigurisë që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, bazuar në Kombet e Bashkuara, NATO, Bashkimin Evropian dhe një rrjetë institucionesh e marrëdhëniesh të tjera. Por ka një dallim të madh mes përpjekjeve për të reformuar këto institucione e marrëdhënie në mënyrë që ato t’i shërbejnë botës më mirë, dhe një agjende që synon t’i shkatërrojë ato nga themelet.

Trump e sheh botën në kushtet e një loje me rezultante finale zero. Në të vërtetë, globalizimi, nëse menaxhohet mirë, është një forcë nga e cila përfitojnë të gjithë: Amerika përfiton në rast se miqtë dhe aleatët e vet – qoftë Australia, BE-ja apo Meksika fuqizohen. Por përqasja e Trump kërcënon ta kthejë globalizimin në një lojë nga e cila humbasin të gjithë: Amerika do të humbasë gjithashtu.

Kjo përqasje qe e qartë që nga fjalimi i tij i pranimit të detyrës, në të cilin ai përsëriti deklaratat “Amerika e para,” bashkë me tonalitetet e veta që i japin jehonë historike fashizmit, konfirmoi angazhimin e tij për skemat e tij më të shëmtuara. Administratat e mëparshme kanë marrë gjithmonë seriozisht përgjegjësinë e tyre në përparimin e interesave të SHBA-ve. Por politikat që ata kanë ndjekur zakonisht kanë qenë të përkufizuara nga të kuptuarit iluminist të interesit kombëtar. Amerikanët, besonin se përfitojnë nga një ekonomi botërore në rritje dhe një rrjet aleancash mes vendeve të angazhuara për demokraci, të drejta njerëzore dhe sundim të ligjit.

Nëse ka ndonjë element që na jep shpresë aktualisht është shfaqja e ndjesisë se bota ka nevojë për më shumë solidaritet mbi vlerat themelore të tilla si toleranca dhe barazia, të qenit të ndërgjegjshëm për rrezikun e vazhdueshëm të fanatizmit dhe mizogjinisë, qofshin këto të hapura apo të fshehta, të cilat Trump dhe skuadra e tij i mishërojnë. Dhe ky solidaritet është aktualisht në shkallë botërore dhe Trump e aleatët e tij përballen me refuzim dhe protesta nëpër të gjithë botën demokratike.

Në SHBA, Bashkimi Amerikan për Liritë Civile, pasi parashikoi se Trump do të dëmtojë menjëherë të drejtat individuale, ka demonstruar se është i përgatitur si kurrë më parë në mbrojtjen e parimeve kyçe kushtetuese, të tilla si procesi i rregullt gjyqësor, mbrojtja e barabartë dhe neutraliteti i shtetit përballë religjioneve. Në lidhje me këtë në muajin e kaluar, amerikanët mbështetën ACLU me miliona dollarë donacione.

Nëpër gjithë vendin në mënyrë të ngjashme, kompanitë, punëtorët dhe konsumatorët kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me drejtorët ekzekutivë dhe anëtarët e bordeve të cilët mbështesin Trump. Si një grup, udhëheqësit e korporatave në SHBA dhe investitorët janë bërë ndihmues të Trump. Në Takimin Vjetor të këtij viti të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, shumë prej tyre u kënaqën nga premtimet e Trump për të ulur taksat dhe për të rregulluar tregjet, ndërkohë që injorojnë fanatizmin e tij – aq sa nuk e përmendën fare problemin tjetër në një takim, të vetmin që unë ndoqa në këtë forum – proteksionizmin.

Edhe më shqetësues qe mungesa e kurajës: qe e qartë se shumë prej atyre që qenë të shqetësuar mbi sjelljen e Trump qenë gjithashtu të frikësuar të flisnin hapur, për shkak se ata (dhe çmimet e aksioneve të kompanive të tyre) mund të goditeshin nga Trump me ndonjë koment në Twitter. Frika e gjithë përhapur është një tipar i njohur i regjimeve autoritare dhe ne tashmë po shohim frikë në SHBA për herë të parë në jetën time.

Si rezultat i kësaj rëndësia e sundimit të ligjit, një herë e një kohë një koncept paksa abstrakt për shumë amerikanë, është bërë konkrete. Sipas rregullave të sundimit të ligjit, nëse qeveria dëshiron të parandalojë kompanitë që dëshirojnë të dërgojnë asete prodhuese jashtë vendit apo kapitale në parajsa fiskale, ajo duhet të miratojë rregulla dhe të krijojë incentivat e përshtatshme për të diskurajuar sjelljen e padëshiruar. Nën sundimin e ligjit, qeveria nuk mundet të frikësojë apo kërcënojë kompani të caktuara apo të paraqesë refugjatë të traumatizuar si kërcënim për sigurinë.

Mediat më të rëndësishme të Amerikës, si The New York Times dhe The Washington Post, kanë refuzuar deri tani të pranojnë si normale mohimin e vlerave amerikane nga Trump. Nuk është normale që SHBA të ketë një president që refuzon të pranojë pavarësinë e gjyqësorit; që zëvendëson zyrtarët më të lartë të ushtrisë dhe të shërbimeve të inteligjencës në thelb të politikave të sigurisë kombëtare me fanatikë të ekstremit të djathtë; dhe në përballje me testin më të fundit të raketës balistike nga Koreja e Veriut, promovon sipërmarrjet e biznesit të vajzës së tij.

Por kur ne goditemi vazhdimisht nga ngjarjet dhe vendimet që janë përtej të imagjinatës, është e lehtë të mpihesh nga frika dhe të fillosh të mendosh për abuzime të mëtejshme të rënda me pushtetin apo telashet edhe më të mëdha që mund të vijnë. Një nga sfidat kryesore të kësaj epoke të re është që të ruhet vigjilenca dhe kurdo që të jetë e nevojshme, të rezistohet./Lajmi.net/

(Analizë për Project Syndicate, nga Joseph E. Stiglitz, fitues i çmimit Nobel në Shkenca Ekonomike, po ashtu Stiglitz është profesor ne Universitetin Columbia. Lajmi.net është pjesë e Project Syndicate)

 

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img