Ai argumenton tezën se si e nxiti Dushan Mugosha luftën mes Ballit e Partisë Komuniste. “Në fillim pati formën e një trazire të brendshme, mes grupimeve rivale politike dhe ushtarake të vendit” shkruan mes të tjerash ai.
ROMEO GURAKUQI
Dekorimi nga ana e Presidentit të Republikës i 67 anëtarëve të organizatës nacionaliste, republikane, të ekzekutuar më 21 tetor 1943 në agimin luftës civile dhe terrorit komunist, të shpallur nga Enver Hoxha dhe mentori i tij Dushan Mugosha ndaj rivalëve të tyre në luftën kundër okupatorit të përbashkët, është një mesazh i qartë, jo vetëm nderimi ndaj një pjese të kombit shqiptar që mendon dhe vepron ndryshe nga nostalgjikët e diktaturës dhe gjakderdhjes nacionale në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, por edhe një mesazh i qartë publik i drejtuar ndaj shumë faktorëve publikë për maturi dhe baraspeshë vlerësuese, dhe thirrje për unitet gjykues të shqiptarëve të brezit të ardhshëm.
Është një mesazh i dhënë në kohën e duhur, në ditët kur ekzekutivi shqiptar e ka rrethuar vendin, përveçse me kanabis, edhe me bolshevizëm, të propaganduar, përmes parave publike të përftuara falë influencës së padukshme, nga elementë të ishstrukturave të armës së diktaturës (subjekte të Ligjit mbi Krimet e Komunizmit), të cilët po e përjetojnë situatën aktuale të vendit nën drejtimin e Edi Ramës, si një periudhë të artë ripërtëritjeje, si kohë hakmarrjeje për ditët e përmbysjes së madhe 1991. Veprimi i Presidentit synon të tërheqë vëmendjen e publikut, historianëve, njerëzve me arsye, mbi nevojën e një gjykimi të ftohtë dhe të çliruar nga dhuna e historisë zyrtare të diktaturës ndaj një pjese të popullit shqiptar të bashkuar nën nacionalistët jokomunistë.
Ai dekorim është një respekt ndaj aspiratës së intelektualëve nacionalistë, që aspironin aso kohe një shtet shqiptar të ripërtërirë, ose në strukturat institucionale të para 7 prillit 1939, ose në një Republikë indipendente Demokratike të orientimit properëndimor. Mesazhi është, sipas meje, edhe një thirrje e qartë ndaj Kryeministrit të vendit, i shfrenuar plotësisht në muajt e fundit, në rrugën e tij agresive të mbajtjes jodemokratike të një pushteti moralisht e praktikisht të rënë. Një pushteti që ekziston ende në kohë dhe në hapësirë, falë pavendosmërisë së speakerit të Parlamentit për t’i shërbyer drejt e burrërisht deri në fund, publikut, Shqipërisë, sistemit demokratik, stabilitetit të vendit, garancisë së vendosjes së një sistemi të paanshëm zgjedhur, që do të krijonte premisat për eliminimin e bazës politike të këtij sistemi të shfrenuar ilegal të një oligarkie të ndotur deri në mizori ndaj publikut të djathtë, të majtë dhe neutral.
Tema bazë: Cila është balanca e gjykimit për përcaktimin e pozicionit të paanshëm, të drejtë dhe pa emocione, të së djeshmes së Luftës Nacionalçlirimtare dhe luftës civile, në funksion të unitetit nacional të sotëm dhe të ardhshëm? Vija themelore e ndarjes ndër shqiptarët gjatë 75 viteve të fundit ka qenë e lidhur me përçarjen e thellë të krijuar në vend, së paku nga vjeshta e vitit 1943, kur Enver Hoxha shpalli fillimin e luftës kundër BK dhe më pas ndaj të gjithë shqiptarëve që nuk aderonin nën komandën e tij të LNÇ/FNÇsë. Duhet të arrijmë në një mendje se askush nuk mohon përpjekjen paralele për liri të partizanëve të inkuadruar brenda radhëve të LNÇ, të nacionalistëve të disa ngjyrimeve në luftën për liri, të studentëve antifashistë gjatë gjithë vitit 1943, deri në urdhrin e shtatorit 1943, të lëshuar nga Enver Hoxha kundër BK (shih: PRO.FO.371.43549, B8/1/1/274/162) dhe shpalljes zyrtare më 7 tetor 1943 nga ana e BK të ndaljes së operacioneve kundër gjermanëve (PRO.FO.371.43555, Allied Military Mission: Albania, Proposed Policy Change, faqe 2223). Po ashtu, askush nuk duhet të mohojë se ka pasur kolaboracionizëm të qartë, neutralitet fatal dhe një përpjekje idealiste dhe utopike për shpëtimin e shtetit nga anarkia përmes restaurimit të strukturës institucionale të vitit 1928 (Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Padër Anton Harapi), qëndrim pasiv inocent (klasa intelektuale), luftë partizane për liri mbi ideale të pastra, luftë antifashiste të nacionalistëve jokolaboracionistë (Gani Beg Kryeziu), pasivitet ekstrem në vitin 1944 të nacionalistëve jokolaboracionistë (Abas Kupi), qëndrime të posaçme të ndërmjetme për interesa krahinore autonomiste (Dibër, Mirditë), luftë civile kundër shqiptarëve të ndryshëm dhe terror komunistopartizan ndaj gjithë Shqipërisë jokomuniste (në Jug nga shtatori 1943), posaçërisht Veriut (pas 28 qershorit 1944), në procesin e tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria, nën goditjet e forcave të Balkan Air Forcë dhe FNÇsë. Ky ka qenë kaosi shqiptar i shkaktuar nga pushtimi fashist e nazist i vendit dhe ndërhyrja e komunistëve jugosllavë në procesin liridashës dhe stabilizues institucional në rrethanat e luftës. Deri në muajin shtator 1943, guerilasit shqiptarë ishin krenarë se qëndruan të bashkuar dhe nuk ranë viktimë e grindjeve me njëritjetrin, sikurse kishte ndodhur me partitë politike e ushtarake të Jugosllavisë dhe Greqisë.
Kolapsi i Italisë ndodhi pikërisht në kohën kur PKSH hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes dhe lëshoi thirrjen për luftë kundër forcave nacionaliste, në shtator të vitit 1943. Sipas kësaj direktive: së pari, ishte e nevojshme që në rast të një zbarkimi të aleatëve në Shqipëri; këshillat Nacionalçlirimtarë duhet të ishin institucionet që ta kishin situatën në kontroll; LNÇ duhej ta paraqiste BK para popullit si shkaktare e luftës civile dhe duhet të nxiste të gjithë popullin për ta bërë këtë organizatë, përgjegjëse para historisë si përçarëse e popullit shqiptare; Kqi PKSH bënte thirrjen që “ne duhet të luftojmë Ballin Kombëtar kudo. Nuk ekziston ma çështja e bashkimit me ata, por vetëm lufta, njëlloj si ajo që jemi duke zbatuar kundër elementeve të tjerë reaksionarë”.
Populli duhet të bëhet të besojë se reaksioni është një instrument në duart e armikut dhe lufta e jonë kundër tyre (reaksionarëve) nuk është një luftë ideologjike. (PRO.HS 7/70, S.O.E History 37/B, Allied Military Mission, Albania 19421945, part I faqe 13) Kush ishin nxitësit e luftës civile? Shqiptarët operonin në një skemë të madhe ndërkombëtare, të cilën ata vetë nuk arritën ta shikonin lehtësisht në atë kohë. Sipas mendimit tim, dy janë kurthet politike dhe ushtarake në të cilat u vendosën krahët politikë të Shqipërisë. Së pari, skema gjermane ka qenë e përqendruar në nxitjen e nacionalizmit dhe patriotizmit tradicional, përmes premtimit të pavarësisë dhe neutralitetit të shtetit shqiptar në kufijtë etnikë dhe demaskimi i politikës ekstremistë të PKSh dhe LNÇ kundër Shqipërisë tradicionale.
Për këtë ka shërbyer zbulimi i qarkoreje sekrete të lartpërmendur, të lëshuar nga LNÇ, kapur nga gjermanët dhe publikuar nga BK në Fier. Autenticiteti i kësaj letre, si e drejtuar me të vërtetë nga ana e drejtuesve të LNÇ, u vërtetua prej BLO, nga një letër që ishte marrë prej nipit partizan të Lef Nosit, Frederik Nosi. Kjo letër që Lef Nosi mori nga i nipi, përmbante fjalë për fjalë gati të gjithë tekstin e përmbajtur në Qarkoren e LNÇ. Gjermanët kishin interes ta bënin publike këtë dokument, për të futur në grindje palët rivale politike në Shqipëri dhe për ta shmangur vëmendjen nga trupat e veta të pushtimit. Kësisoj, kjo politikë gjermane ka qenë shkaku i parë i fryrjes së Luftës Civile në Shqipëri.
Së dyti, britanikët kanë përcaktuar si nxitës dhe nismëtar të Luftës Civile në Shqipëri, respektivisht si nxitës në politikës së Enver Hoxhës, të deleguarit e Titos pranë LNÇ, Dushan Mugoshën, i nacionalitetit serb. Zbulimi i këtij implikimi për britanikët u bë nga Mestan Ujaniku, një komandant i rëndësishëm i guerilëve shqiptarë që vepronte në zonën BeratSkrapar. Në një letër që daton më 14 nëntor 1943, ai dhe Xhelal Staravecka, një udhëheqës tjetër partizan i Skraparit, ishin revoltuar shumë prej luftës vëllavrasëse të imponuar ndaj shqiptarëve prej komunistit serb Dushanoviç (PRO.FO.371.43549, Albania, Force 133, Fortnigtly Appreciation for the period ending 9.1.44).
Ndërhyrja serbe në nxitjen e vëllavrasjes pati efekt se disa udhëheqës së guerilëve shqiptarë kaluan nga LNÇ me BK. LNÇ grumbulloi vegjëlinë dhe fshatarësinë e Jugut dhe krijoi lidershipin e saj të ri të ngritur nga asgjëja, por që gradualisht do të fitonte gjithçka, falë agresivitetit, propagandës dhe terrorit. Mirëpo BK nuk kishte asnjë udhëheqësi të qartë dhe të vendosur në objektivat çlirimtare dhe njëkohësisht mungonte disiplina dhe armët. Ata, pas shtatorit 1943, kanë qenë të prirur në ndjekjen e një linje të kujdesshme, që të shmangte përplasjen e një makinerie ushtarake naziste, që ishte vendosur taktikisht në vend. Ballafaqimi civil, në fillesën e vet, nuk ka qenë një luftë civile e mirëfilltë, por diçka e ngjashme me një trazirë të brendshme, mes grupimeve rivale politike dhe ushtarake të vendit, që kryenin veprime sporadike të shkurtra kundër njëratjetrës. Secila palë ndërmerrte prita dhe kryente vrasje ndaj palës kundërshtare, por jo më tepër se kaq.
Në këtë kuadër ka ndodhur edhe masakra ndaj anëtarëve të BK në Lushnjë, organizuar nga Mehmet Shehu, që u bashkëngjitej masakrave të kryera ndaj ushtarëve italianë në Mallakastër (Mehmet Shehu) dhe Mat (masakrimi i kolonës së karabinierëve italianë, 110 ushtarë dhe 8 oficerë, nën komandën e kolonel Giulio Gamucci. Ajo po ikte nga gjermanët dhe po drejtohej drejt maleve, u çarmatos, u zhvesh dhe u masakruan me tradhti në afërsi të Burrelit, nga partizanët shqiptarë, të komanduar nga Kadri Hoxha dhe Xhelal Staravenca. Rrobat dhe sendet personale të viktimave u shpërndanë në mesin e bashkëpunëtoreve të masakrës.(PRO.FO.371.58484, R 14269/470/90, Les Italiens en Albanie, apres le 8 Seprembre 1943, faqe 22.) Në vjeshtën e vitit 1943, çdo shqiptar besonte se në dimër Shqipëria do të ishte e lirë.
Shkaku sipërfaqësor i Luftës Civile ka qenë inaktiviteti dhe politika e kompromisit e ndjekur nga BK ndaj fuqive të Boshtit dhe propaganda e tij disfatiste. Por në vetvete kjo nuk mund të jetë shkaku i vërtetë i Luftës Civile, në qoftë se nuk do të kishte qenë veprimi i forcës prej anës së partizanëve komunistë. Majori Meclean raportonte se ai vetë personalisht ka parë origjinalin e një dokumenti sekret të nënshkruar nga SHPATI dhe që mbarte vulën e PKSH. Dokumenti urdhëronte që LNÇ duhet të përqendrojë të gjitha përpjekjet e veta drejt likuidimit të BK, që kur aleatët të zbarkonin të mos gjenin asnjë forcë të organizuar ushtarake në vend përveç LNÇsë.
(PRO.FO.371.43549, faqe 100129, Memorandum on Albania by Major Maclean). Enver Hoxha siç duket e lëshoi këtë urdhër nën ndikimin reciprok të përfaqësuesit e PKJ pranë shtabit të tij. Julian Amery shkruan se kur Enver Hoxha kuptoi se gjermanët nuk kishin ndërmend të impononin qeverisjen e tyre përtej qyteteve, vendosi të përdorë pjesën më të madhe të energjive të LNÇ për të likuiduar kundërshtarët e tij politikë. Prandaj, ai refuzoi të ratifikojë Marrëveshjen e Mukjes dhe në tetor të vitit 1943 u dha urdhër gjithë njësive partizane për të sulmuar dhe shkatërruar forcat e BK, kudo që mund t’i gjenin, madje edhe sikur një gjë e tillë të shkaktonte ndërprerjen e operacioneve kundër gjermanëve. Kështu nisi Lufta Civile në Shqipëri. (Julian Amery, Bijtë e Shqipes, Shtëpia Botuese “Lumo Skëndo”, Tiranë 2002, faqe 89).
Lufta Civile në mes LNÇ dhe Ballit Kombëtar filloi zyrtarisht gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 1943, para se elementë të BK të bënin kauzë paqeje dhe bashkëpunimi me ushtarët gjermanë. Fillimi i përplasjeve mes BK dhe LNÇ rastisi me fillimin e veprimeve ndëshkuese të gjermanëve kundër partizanëve dhe në këto rrethana BK, i sulmuar nga LNÇ, gradualisht, në mënyrë krejtësisht spontane, e vendosi veten në pozicione frike e lufte mbrojtëse me partizanët dhe spontanisht në anën e gjermanëve, vendosje që më vonë do t’u kushtonte mjaft. Kjo zhvendosje ka ndodhur pas dhjetorit 1943. Por platforma e Mukjes ka qenë një piketë e rëndësishme për misionet britanike për bashkimin e forcave kundër okupatorit dhe ndaljen e gjakderdhjes së ardhshme.
Një rol të rëndësishëm pajtues pas fillimit të konfliktit, mes fraksioneve politike dhe ushtarake shqiptare, ka luajtur Misioni Aleat Britanik në Shqipëri, i cili që gjatë muajit tetor 1943 dhe më pas, në të gjithë periudhë në vijim, u mundua të kryente pajtimin. BLO bëri përpjekje me BK për ta hedhur atë në veprim kundër gjermanëve, por kjo nuk qe një sipërmarrje e lehtë, duke qenë se kjo organizatë më së shumti ishte munduar të ruante forcat e veta për të nesërmen e largimit të gjermanëve, por me një llogari krejtësisht të gabuar dhe shumë hapa mbrapa taktikave të stërholluar dhe tinëzare të komunistëve shqiptarë, të suportuar nga jugosllavët. Me ndërhyrjen e oficerëve të BLO, LNÇ ra në një mendje për të mos luftuar kundër BK kur BK të nënshkruante një deklaratë, në të cilën të garantonte se do të luftonte kundër pushtuesit gjerman.
Pas shumë vështirësish, britanikët ia arritën të nënshkruajë një deklaratë të tillë me datën 11 nëntor 1943 nga Mid’hat Frashëri për BK, sipas së cilës, partia e tyre do të fillonte menjëherë një luftë të pa kompromis kundër gjermanëve. Sapo BK e nënshkroi një deklaratë të tillë, LNÇ bëri hapin prapa në fjalën e vet dhe njoftoi se ata (LNÇ), sërish synonin luftën kundër partisë rivale të BK (PRO.HS 7/70, SOE. History 37/B, Allied Military Mission, Albania 19421945, part I faqe 1920). Kështu, gjatë muajit dhjetor 1943, Lufta Civile ishte në zhvillimin e saj të plotë. Faktet tregojnë se LNÇ precipitoi një luftë klasash që në këtë kohë të fundit të vitit 1943 dhe fillimit të vitit 1944. (PRO.FO.371.43549, R 2329, From Cairo to Foreign Office, for Hoëard from Steel, February 12, 1944.). Për periudhën deri në janar 1944, mund të themi se shkaku themelor i Luftës Civile ishte fakti se të dy partitë dëshironin të vinin në pushtet në rast të një zbarkimi të mundshëm të aleatëve në Shqipëri.
Lufta Civile precipitoi prej zhurmës së përhapur qëllimisht nga gjermanët, që trupat gjermane në Shqipëri ishin duke u përgatitur të bënin evakuimin e territorit. Nuk duhet të harrojmë pa nënvizuar se kur Enver Hoxha lëshoi urdhrin e fillimit të Luftës Civile, ai bëri llogaritë e faktorit kohë gabim, duke besuar se aleatët do të zbarkonin brenda pak javësh. Duke qenë se rrjedha e ngjarjeve tregoi se kjo llogari ishte e gabuar, partizanët vuajtën shumë sidomos me fillimin e operacionit të dimrit. Politika propagandistike e forcave gjermane të pushtimit, zhgënjimi që pësuan forcat nacionaliste kur nuk ndodhi zbarkimi i shumëpritur aleat në momentin e kapitullimit të Italisë, ndikuan në një lloj përkeqësimi të situatës për forcat nacionaliste, ndikoi në rritjen e aktivitetit të forcave partizane, të cilat në këtë periudhë kanë qenë të vetmet që kanë vazhduar një lloj rezistence në Shqipëri.
Por nuk duhet të harrojmë se Balli Kombëtar, si ideologji dhe si organizim, ka qenë patriotizëm, vlerë republikane e demokratike e Shqipërisë Tradicionale. Mirëpo disa grupime të anëtarësisë së Ballit Kombëtar nuk u rezistuan dot ballafaqimit me forcat e LNÇ, në zonat e sigurta të tyre, dhe krijuan struktura bashkëpunimi/armëpushimi me gjermanët. Por kujdes: jo i gjithë BK ka qenë në paqe me gjermanët dhe procesi i bashkëjetesës së disa emrave dhe çetave, i përket periudhës së pas janarit vitit 1944, shumë kohë pas masakrës së 21 tetorit 1943 në Lushnjë. Asnjë provë nuk ka që Mid’hat Frashëri ka bashkëpunuar me gjermanët dhe as për shembull që Dukati, i sulmuar në mënyrë të pabesë nga forcat e brigadës V, ka bashkëpunuar me gjermanët, në një kohë që ata ishin mbrojtës së bazës Aleate të “Panoramës”.
Qëndrimin e BK e shpjegon një Raport mbi Shqipërinë dërguar në Foreign Office nga Stambolli, prej Zonjës Afërdita Gjakova, gruaja e një deputeti shqiptar të periudhës së Zogut, Asim Gjakova. Ajo ishte një grua shumë e arsimuar, shkolluar në një Kolegj Amerikan dhe konsiderohej nga raportet si një ndër gratë më të arsimuara të Shqipërisë. Në raportin e hollësishëm të saj mbi Gjendjen e Shqipërisë nga pushtimi italian deri në fillim të vitit 1944, ajo publikoi një letër që kishte marrë para largimit të saj, në fund të vitit 1943 dhe fillim të 1944, për në Turqi, nga Mid’hat Frashëri. Letra është shumë e rëndësishme për të kuptuar sinqeritetin deri në naivitet, patriotizmin epik të tij dhe fatkeqësinë në të cilën Shqipëria dhe ata ndodheshin.
Ai shkruan:
“1. Tregoju shqiptarëve në Turqi dhe miqve tanë anglezë dhe amerikanë se BK nuk është duke bashkëpunuar me gjermanët. Gjermania nuk ka të njëjtat pretendime territoriale mbi Shqipërinë, sikurse pati Italia. Ne nuk do të luftojmë trupat gjermane në një luftë të hapur, sepse ne e dimë çmimin e lartë që do të na duhet të paguanin për çdo aksion të tillë. Shumë nga fshatrat tanë janë në rrënim dhe shumë nga shqiptarët tanë kanë humbur tashmë jetën
- Tregoju miqve tanë në çfarë gjendjeje anarkie është vendi ynë tani. Komunistët të çorientuar dhe drejtuar keq nga pasuesit e Titos dhe oficerë rusë, janë duke shkaktuar shkatërrimin e këtij vendi. Unë jam konsultuar me partizanë shqiptarë, unë u kam kërkuar atyre të jenë vetëm shqiptarë të mirë, por ata nuk pranojnë asnjë këshillë. Ata thonë se do ta rindërtojnë Shqipërinë pas lufte.
- Ky vend është shumë i dashur për ne dhe ne do të organizojmë njësitë tona luftarake për me mbrojtë Shqipërinë dhe kufijtë e saj. Ne do të jemi të detyruar eventualisht të përdorim armët tona kundër komunistëve. 4 Ne kemi bashkuar të gjithë nacionalistët për kauzën e përbashkët për të dobësuar dhe shkatërruar komunizmin. Nuk ekziston ndonjë dallim tash e mbrapa në mes grupeve prozogiste dhe antizogiste”. Zonja Gjakova shkruan në fund të këtij shpjegimi të parë se “kur unë e takova Mid’hat Frashërin ai dukej i lodhur dhe i mplakur. Ai pati dëshiruar që organizata e tij të ishte një sukses, por dështoi”. (PRO.FO.371.43549, R 2421, Raport on Albania, by Mrs Aferdita Gjakova. January 27, 1944). Ky ishte pra qëndrimi i vërtetë i BK dhe përfaqësuesit të tij më të spikatur, Mit’hat Frashëri, djalit të Abdyl Frashërit, që bolshevikët e djeshëm dhe të sotëm vazhdojnë ta etiketojnë.
.