Shumë miliona u “derdhën” por spitali Ferizajt nuk u ndërtua

Share

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia të martën njoftoi se janë ndarë edhe 24 milionë euro për përfundimin e spitalit të Ferizajt i cili sipas ministrit do të përfundojë brenda 30 muajve të ardhshëm.

Megjithatë saga e ndërtimit të spitalit kishte nisur në vitin 2018 kur ishin kryer ishin kryer vetëm punët e vrazhdë të objektit.

Më 2021 Ministria e Shëndetësisë pretendonte se kompania që kishte kontratë për ndërtimin e objektit kishte bërë abuzime milionëshe.

Më pas kompania kishte kërkuar rishqyrtim të projektit e edhe miliona shtesë, por kjo s’ishte miratuar nga MSH-ja. Ministria pati bërë kallëzim penal ndaj kompanisë me pretendimin se ka kryer “mashtrim në prokurimin publik”. Sipas pretendimit, kompania e kishte fituar kontratën duke vendosur çmime fillestare shumë më të larta se ato realet në treg dhe punët finale nën çmimin e tregut. Kompania, sipas MSH-së, i ka marrë paratë nga pozicionet me çmime të fryra, ndërsa kur është dashur t’i kryente ato që janë nën çmim të tregut ka kërkuar rishikim të projektit e 5 milionë euro shtesë.

Ndërkaq në fund të janarit sivjet, ministri Vitia u intervistua nga Prokuroria Speciale për padinë që operatori ekonomik ia kishte bërë Ministrisë. Këshilltari politik i Vitisë, Durim Elshani, pati thënë se Prokuroria u vu në lëvizje menjëherë pasi kontraktori e paditi MSH-në, ndërsa kujtoi se ka vite që Ministria e ka paditur kontraktorin.

Sipas dokumenteve të siguruara atë kohë, vlera totale e projektit fillestar ishte 10.2 milionë euro dhe se asaj i ishin shtuar edhe 1 milion euro tjera për punë shtesë. Kompania kërkonte edhe 5 milionë për ta përfunduar projektin.

E në mars të 2024-s, Ministria e Shëndetësisë pati kontraktuar një kompani për riprojektimin e spitalit. Ishte thënë se punimet do të vazhdonin pas përfundimit të riprojektimit. Riprojektimi kushtoi 67 mijë euro.

Në njoftimin për dhënie të kontratës së re titulli i saj është për “ndërtimin e objektit të spitalit të përgjithshëm në Ferizaj – vazhdim projekti”. Projekti është fituar nga një grup i operatorëve ekonomikë. Në kontratë është bërë e ditur se lënda është trajtuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Të ngjashme: