Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ua ka shuar shpresat AAK-së se mund të jenë në një listë të përbashkët zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme. Ka thënë se duket se kjo ide s’ka gjasa të ndodhë për shkak të dallimeve të këtyre dy partive për pozitat kryesore të Shtetit.
“Natyrisht që edhe kandidati për kryeministër edhe renditja në një listë të përbashkët eventuale që po duket se s’ka gjasa të ndodhë duhet të bëhet në bazë të kritereve të dakorduara më parë”, ka thënë Ymeri, për RTK.
Ky është dështimi i dytë i opozitës, dikur e bashkuar, për të vazhduar kundërshtimin e Qeverisë. Dështimi i parë i opozitës ishte anulimi i protestës kundër Qeverisë. Tash, ende s’kanë caktuar një datë të re, pasi kanë filluar të merren se kush duhet të jetë Kryeministër, nëse do t’i fitonin zgjedhjet.
AAK ka propozuar që bartësi i listës së mundshme të Opozitës të jetë udhëheqës i Kuvendit, ndërsa, personi i dytë në listë të jetë kandidat për Kryeministër.