29,12,2024

Shtyrja e heqjes së vizave për Kosovën, peng i interesave politike dhe partiake

Must Read

Mos ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi vazhdon ta mbajë peng çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Raportuesja e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave në Kosovë, Tanja Fajon ka thënë se ka vendosur që të shtyjë rekomandimin e saj për vënie në votim të heqjes së vizave për Kosovën deri në shtator të këtij viti.

“Kam vendosur që të shtyj votimin për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën për në shtator, duke parë se nuk ka progres të vërejtshëm në përmbushjen e kritereve të fundit, në veçanti me ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”, ka deklaruar Fajon.

E lidhur me këtë, njohësi i fushës së integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi ka thënë se institucionet duhet që sa më parë të kryejnë obligimet e tyre në mënyrë që të përfundojë izolimi i qytetarëve.

“Çështjet si demarkacioni na kujtojnë faktin se sa jo-efiçient janë institucionet e vendit dhe liderët e tyre kur është fjala tek çështjet e rëndësisë më të lartë. Është e pakuptueshme mosndërmarrja e veprimeve në asnjë drejtim”, ka thënë Muharremi.

Ai ka shtuar se po ashtu nuk shihen veprime as në aspektin e konsultimeve dhe përfshirjes së palëve të shqetësuara me proces, e madje as procedim për votim në Kuvend.

“Liderët e institucioneve preferojnë status quo dhe e përdorin këtë çështje për interesa të ngushta politike dhe partiake. Kjo tregon se kjo klasë politike nuk është e gatshme të adresojë nevojat e qytetarëve të vendit si dhe të arrijë të jetësoj potencialet e Kosovës. Kjo tregon gjithashtu pse ne jemi vendi më ‘diskutabil’ në Evropë, me papunësi kronikisht më të lartë dhe ekonomi më modeste të mundshme”, u shpreh Muharremi.

Ai ka theksuar më tej se Bashkimi Evropian nuk kërkon nga Kosova të falë territorin e saj, por janë liderët ata që zhvillojnë negociatat dhe marrin vendimet.

“Institucionet duhet të veprojnë dhe kryejnë detyrat dhe obligimet e fundit në këtë proces që të përfundojë izolimi makabër i qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës dhe të lejnë interesat e tyre personale anash kur është në pyetje interesi i publikut”, tha Muharremi për Telegrafin.

Në anën tjetër njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi duhet të bëhet.

“Vendimi i Parlamentit Evropian për të shtyrë procesin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën, dëshmon edhe njëherë se ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është kusht që duhet të plotësohet”, ka thënë Ujkani për Telegrafin.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës si dhe opozita duhet të ulen dhe të arrijnë një koncenzus nacional, përndryshe çfarëdo qasje tjetër nuk do të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme.

Edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i ka bërë thirrje Kuvendit dhe institucioneve të tjera të vendit, që të adresojnë “në mënyrë të përgjegjshme dy çështjet e hapura, demarkacionin dhe liberalizimin e vizave, si çështje të interesit nacional”.

Ai ka thënë se çështja e demarkacionit “është përgjegjësi e të gjitha institucioneve të vendit si interes madhor dhe adresimi i saj duhet të bëhet sa më shpejt”. /

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img