Shtabi emergjent i komunës së Ferizajt, në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve dhe komisionin vlerësues të dëmeve, ka marr vendim që familjes së Hysen Ahmetit, i cili jeton në rrugën “Naim Beka” t’ju ndërtohet kulmi i shtëpisë, pas djegies që u shkaktua ditë me parë.
Po ashtu në mbledhjen e sotme që ka mbajtur shtabi emergjent, i udhëhequr nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa u vlerësua se gjendja e rrugëve të qytetit, por edhe fshatrave të kësaj komune është e kalueshme, pavarësisht reshjeve të borës të cilat kanë rënë me një sasi shumë të madhe.
Me këtë rast kryetari Svarqa ka falënderuar të gjitha kompanitë e kontraktuara nga komuna për heqjen e borës, por edhe kompanitë private që në këto ditë emergjent kanë ndihmuar me pastrimin e borës nëpër qytet, por edhe në fshatrat e Ferizajt.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se shtabi emergjent vazhdimisht është duke ndihmuar të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë duke dhuruar gjëra ushqimore dhe higjienike.