Shtabi emergjent i komunës së Ferizajt, gjatë ditës së sotme në dy mbledhjet e mbajtura ka konstatuar, se gjendja e rrugëve të qytetit, por edhe të fshatrave të Ferizajt është e kalueshme, por temperaturat janë tejet të ulëta që krahasohen me ato siberiane.
Ekipet mobile që janë në krye të shtabi emergjent të komunës së Ferizajt, të kryesuar nga kryetari Muharrem Svarqa, nga Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve si dhe mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe gjatë ditës së sotme vazhdimisht kanë qenë në terren dhe kanë bërë edhe hapjen e të gjitha rrugëve të qytetit, por edhe të fshatrave të komunës.
U tha se tash për tash gjendje më e rëndë vazhdon të mbetet në aksin rrugorë Gackë-Burrnik, si dhe në fshatin Jezerc nga shkolla e fshatit e deri tek lagjja e Uksmajleve, ndërsa që pritet të intervenohet gjatë ditës së nesërme.
Vetëm gjatë ditës së sotme është intervenuar në rreth 60 rrugë dhe rrugica të qytetit, ndërsa është intervenuar edhe në këto fshatra: Dremjak, Tërrn, Lubovc, Babush, Cërrnillë, Mirosalë, Rahovicë, Zllatar, Dardani, Sojevë, Bibaj, Fshat i Vjetër, Greme, Gackë, Pleshinë, Zaskok, Doganaj, në dy Nerodimet, Manastric, Balaj si dhe në fshatrat tjera.
Me këtë rast shtabi emergjent ka falënderuar edhe qytetarët ferizajas që gjatë gjithë kohës i kanë dal në ndihmë edhe ato me mjete të ndryshme që të bëjnë edhe lirimin e rrugëve.
Shtabi emergjent do të jetë i gatshëm që t’i dal në ndihmë secilit qytetarë që ka nevojë për të, dhe do të vazhdojë të punojë me intensitetin e njëjte së bashku me kompanitë e kontraktuara nga komuna, por edhe më kompanitë tjera private që po ndihmojnë në këtë gjendje emergjente. Ekipet vazhdojnë të punojnë ende në terren edhe në orët e vona të mbrëmjes.