Editorial

Shpresa është jetë, ndërsa frika është vdekje


Publikuar më:


Shkelzen Marevci

Po kush vallë është humbësi më i madh i të mirave të kësaj bote më shumë sesa frikacaku dhe  ai që ka humbur shpresën?!

A thua vallë kush i mbyt të mirat e tij që i posedon në duart e veta më shumë sesa frikacaku i paarsyeshëm?! Përgjigjja është e thjeshtë: askush përpos tij. Frika dhe humbja e shpresës janë sinjal i hershëm alarmi për humbjen tënde në sfidën apo situatën ku gjendesh.

Të humbasësh shpresën nga frika nënkupton t’i komplikosh situatat më të thjeshta deri në atë masë sa të mos mundesh të dalësh nga to, edhe pse janë tejet të thjeshta e, në mendjen tënde, bëhen të pakalueshme. Të humbasësh shpresën nga frika, nënkupton ta humbasësh pasurinë që me pak mund ke mundur ta fitosh. Të humbasësh shpresën nga frika, nënkupton të humbasësh dituri, që me pak sakrificë ke mundur ta posedosh. Të humbasësh shpresën nga frika, nënkupton t’i humbasësh shumë të mira, me të cilat me pak durim do të ishe njeriu më i lumtur në botë. Të humbasësh shpresën nga frika, nënkupton ta humbasësh dëshirën për të jetuar dhe kjo mund të të nxisë për t’u vetëvrarë. Po ta pyesim ndonjë njeri, i cili ka tentuar vetëvrasjen, se përse donte ta bënte një gjë të tillë, ai do të përgjigjej: “më humbi shpresa për të jetuar”. Pra, humbja e shpresës ndikon dhe në këtë situatë pandemie, duke ndikuar në mendjet njerëzore se, nuk kemi rrugëdalje tjetër, përpos dorëzimit. Jo. Kjo nuk është e vërtetë, sepse pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.

O i frikësuar, o i pashpresë, fillo e mendo racionalisht për arsyen e jetës dhe për të mirat që Zoti i ka dhënë njeriut dhe do ta shohësh se shumë nga ato gjërat për të cilat kishe frikë, nuk do të ndodhin fare, sepse ato nuk janë gjë tjetër veçse mashtrime në optikën e syve të tu dhe mashtrim djallëzore brenda mendjes sate. Pse nuk provon ta flakësh frikën nga vetja dhe të shkelësh mbi tokë me këmbë të forta prej trimi, prej një trimi të mbushur plot siguri. Bëje, bëje, me këmbëngulje, sepse dielli do të lindë dhe nesër dhe pasnesër dhe ai do të vazhdojë së linduri për çdo ditë të ardhme e, së bashku me të, do të lindin dhe ditë të mbushura shend e gëzim, shpresë e optimizëm, por që ti po ia mohon vetes ato të mira dhe krejt kjo për shkak të frikës së paarsyeshme e që kjo frikë të ka futur në llumin e pesimizmit dhe po të mban të trishtuar orë e çast. Është pikërisht frika dhe humbja e shpresës që ta kanë humbur aftësinë për t’i zgjidhur dhe problemet më të vogla të jetës. Probleme aq minore, të cilat janë duke të mbajtur peng, saqë ke harruar fare se çfarë është lumturia. Lumturia që të rrethon orë e çast e ti, nga paaftësia që të ka kapluar për shkak të frikës e humbjes së shpresës, nuk e vëren.

Ore, qesh e jeto i lumtur, se ke arsye për një gjë të tillë, por dhe atëherë kur nuk të qeshet qesh, sepse qeshja varet nga brendësia jote, por dhe humbja e shpresës nga aty ka burimin. Meqë nga i njëjti burim buruakan të dyja, pse nuk e ndalon çezmen e burimit që rrjedh pesimizëm. Pse për një çast nuk ndalon dhe t’i krahasosh të mirat dhe të këqijat që ke. Do të çuditesh me veten tënde se sa më shumë të mira posedon në raport me të këqijat, por që frika e paarsyeshme ta ka turbulluar mendjen dhe të duket se më shumë je i rrethuar nga të këqijat sesa nga të mirat.

Lexues i dashur, zemrën e thyer nga frika, mblidhja copat një nga një dhe bëje të plotë, ashtu siç Zoti ta dha e mos lejo të ta copëtojë djalli. Mos lejo të shikosh me syrin e djallit, sepse çdo e mirë, e keqe do të të duket, por shikoji gjërat me sy engjëlli, ngase dhe ato pak sprova që ke, të bukura do të të duken. Po deshe të jesh i lumtur dhe atëherë kur mendon se lumturia nuk ekziston, flake frikën nga vetja, sepse atë lumturinë do ta gjesh pranë. Bindu se ke forcën që t’ia dalësh çdo situate, që ty të duket utopike e në realitet është aq lehtë t’ia dalësh, saqë do të çuditesh. Por, së pari mbushe veten me shpresë, se shpresa dhe optimizmi janë hapat e parë drejt rrugëtimit për te suksesi e lumturia, apo, thënë ndryshe, janë vetë suksesi e lumturia. Dije një gjë: çdo sfidë e çdo situatë sado e rëndë që të duket, e ka rrugëdaljen. Sprovat e sfidat nuk janë për askënd tjetër, përpos se për njeriun, sepse janë të thjeshta, janë njerëzore. Andaj përpiqu me të gjitha forcat njerëzore, që janë forca që botën ndryshuan, dhe thuaj vetes “po, unë mundem t’ia dalë çdo situate që në dukje duket e pamundur e që në fakt është aq e thjeshtë!”.

Zoti të bëftë që të shohësh me sy engjëlli e të privoftë nga shikimi me sy djalli!

To Top