07,11,2024

Shpaloset shtatorja e Dëshmorit të Kombit Ramadan Rexhepi-Adidasi

Must Read

Në përvjetorin e 24 të çlirimit të Kosovës, Ferizajt i është kthyer në bronz, Dëshmori i Kombit, pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ramadan Rexhepi-Adidasi.
Në këtë manifestim ka marrë pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Agim Çeku, deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bashkëluftëtarë, familjarë të dëshmorit, organizata ta dala nga lufta si dhe qytetarë të shumtë.
Para të pranishmëve fillimisht është shpalosur një biografi jetësore e dëshmorit, të cilin e bëri Skender Tahiri nga këshilli organizativ i këtij manifestimi

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, nën patronatin e të cilit edhe u mbajt ky manifestim, në fjalën e tij theksoi se prej sot Ferizaj, është më i plotë, e më i bukur, ku nënqiellit tonë, në vitlindjen e tij të 150-të, po i shtohet edhe një shtatore lirie.
“Është komandanti Ramadan Rexhepi, është monumenti i lavdisë së tij, që sot e sa të jetë jeta, po ngreh shtat, në Ferizajn e tij, në frymën e pastër të lirisë, nën rrezet e ngrohta të ngadhënjimit. Është pra, dita e lavdisë, që në këtë 12 Qershor të Çlirimit të Ferizajt, mozaikut të shtatoreve të lirisë, po i shtohet Ramadan Rexhepi”, ka thënë fillimisht Kryetari Agim Aliu.

Para mysafirëve të pranishëm, Kryetari i Ferizajt Agim Aliu, ka thënë se Liria e Kosovës, erdhi me gjak dëshmorësh, martirësh, nën krismat e pushkëve të guximtarëve, djem e vasha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Shumë nga ta ishin njomakë kur atdheu i thirri me zërin e ndërgjegjes, por ëndrra e lirisë, ishte e vjetër ndër brezat e shqiptarëve. Të kuqe, ishin ditët e lavdisë, për të na dhënë bardhësitë e lirisë.
Në mes emrave të lavdisë, shkëlqen krenar emri i Ramadan Rexhepit. Liria e Kosovës u brumos me djersën, gjakun e pendën e patriotëve. Ai ishte një nga ne por ama, vepra e tij sublime, skaliti përjetë heroizmin e tij, atdhedashurinë, lirinë tashmë të përjetuar të Kosovës. Ramadani ishte veprimtar që nga e hershmja rini e tij. Robëria me kthetrat e ngulura në palcën e kombit shqiptar në Kosovë, ishte caku i luftës së tij të përditshme. Asnjë frikë, nuk njohu ai. Vallen e lirisë e hodhi krenar Komandanti. Nuk i mjaftoi ky nënqiell për t’ja dhënë provën atdheut, se për lirinë e tij, është gati për flijim. Ai tashmë i takon bashkë me dëshmorët e tjerë, yjeve të përjetësisë e lavdisë kombëtare”, ka potencuar Aliu, përderisa ka shtuar se Ferizaj, Sojeva e tij dhe e gjithë Kosova, ndër mote, janë e do të mbeten krenare. Krenare, të pathyeshme e kokëlarta si alpet shqiptare, për zemrën shkëmb të Ramadanit.

“Ramadani dashuronte dijen. Dashuronte erën e kthjelltësinë e lirisë. Kristalet më të çmueshme të kombit, veprat e patriotëve ndër shekuj, ishin frymëzimi i tij. Ai u radhit bashkë me ta, ai zgjodhi këtë rrugë lavdie. E gjithë jeta e tij, ka një emër, ka një kuptim, ka një sinonim – sakrificën por kurrë dorëzimin. Edhe gjeneratave që fati i solli në duart e tij, t’i trasoj rrugën e dijes – i dha këtë mesazh, atdhedashurinë e përpjekjen e pakursim për lirinë. E vobektë është fjala, për heroizmat e Dëshmorëve të Kombit. Të vobekta janë shprehjet për ta përthekuar shkëlqimin e artë të rrezeve të lirisë.

Ata janë mbi re, gjurmë e përjetshme në trupin e historisë. Dëshmorët e Kombit, i bëjnë rojë Republikës, gjaku i tyre, vaditi lirinë. Çdo hap i luftëtarëve të lirisë, Dëshmorëve të Kombit, afronte lirinë. Ata ecnin me hapin e guximshëm, tik-taket shpejtonin, pa kthyer kokën pas, pa llogaritur flijimin, ata marshuan drejt Kosovës së lirë, që pushka e tyre e solli në prag. Rrita jonë sot, buron e i kushtohet atyre – Dëshmorëve të Kombit, martirëve e të rënëve për liri. Ja kemi borxh, ta mbajmë të palëkundur Republikën tonë, lirinë me rrënjë gjaku. Gjithsecili ka diçka e mund të bëj shumçka më të mirë për Republikën, për shtetin tonë, për Kosovën e heronjve e Dëshmorëve të Kombit. Ata dhanë gjithçka, ne na mbetet të marshojmë shtigjeve të idealit të tyre”, ka thënë Aliu.
Ai tutje në fjalën e tij ka ngushëlluar edhe familjen e Dëshmorit të Kombit Ramadan Rexhepi.
“Malli për Ramadanin është oqean i thellë. Kujtimi i tij, emblemë e çmuar e kombit. Lotin, nuk e deshi Ramadani. Lotin e përbuzi ai. Ai njohu buzëqeshjen e çiltër. Ai edhe vdekjes për liri i buzëqeshi, e mundi atë, triumfoi mbi vdekjen. Ai jeton. Ai frymon. Ai është emri, mes emrave të shumtë të lirisë. Bashkëluftëtarët e Ramadanit, e kujtojnë sot e gjithmonë, Komandantin, me zërin e kushtrimit për liri, ecajaket e tij të patrembura, shtatin që as plumbi nuk ia përkuli asnjëherë. Kujtojmë sot në këtë përvjetor të çlirimit nën hijen e shtatores së tij vigane, sypatremburin, feniksin e lirisë, Dëshmorin e Kombit, Ramadan Rexhepi – Adidasi”, ka përfunduar Kryetari Aliu.

Rikujtim të momenteve me Dëshmorin e Kombit Ramadan Rexhepi-Adidasi, pati edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral lejtnant Agim Çeku. Ai ka thënë se në këtë 150 vjetor të themelimit, pothuajse 130 vjet janë luftë për sakrificë dhe liri të qytetit të Ferizajt.
Në këtë manifestim të pranishmëve ju është drejtuar edhe ish-gjenerali i UÇK-së Imri Ilazi. Ai ka folur për sakrificën sublime të dëshmorit. PO me një fjalë rasti është paraqitur edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Rafiz Sejdiu.
Ndërsa ish eprori i lartë i UÇK-së Elmi Reçica, në fjalën e tij ka spikatur figurën e dëshmorit, duke thënë se Ramadan Rexhepi-Adidasi tanimë është bërë i njohur për gjithë shqiptarinë.
Me fjalët një fjalë rasti të pranishmëve ju është drejtuar edhe Xhavit Jashari, Sylejman Syla si dhe Rinor Rexhepi djali i dëshmorit Ramadan Rexhepi-Adidasi.

Shpalosjen e shtatores së dëshmorit e bëri Kryetari i Ferizajt Agim Aliu, bashkë me babën e të ndjerit dhe ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Agim Çekun.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

100 fermerë ferizajas përfitojnë motokultivatorë nga Drejtoria e Bujqësisë

Në hapësirën para Palestrës së Sporteve "Bill Clinton" në Ferizaj, pasditen e sotme u ndanë 100 motokultivatorë për 100...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img