Ferizaj.27.11.2017. Me një ceremoni rasti sot në Jezerc të Ferizajt shkolla e këtij fshati ka shënuar 72 vjetorin e punës së sajë.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm nxënës, banor të fshati, mysafir si dhe deputeti I Parlamentit të Kosovës, Haxhi Avdyli.
“Në këtë objekt në të cilin para 72 viteve lulja e dijes lëshoi aromën e parë të përhapjes së diturisë përmes mësuesit të parë z. Munish Ramadani. Më saktësisht ishte fillimi i vitit mësimor në trojet tona kur më 1945/46 edhe këtu në trevën tonë të dashur të Jezercit, mori jetë shkolla e parë shqipe e cila me dekada të tëra nxori nga kopshti i saj i diturisë njerëz të dijes të cilët kontribuuan për të ngritur dhe kultivuar mësues, mjek, inxhinier, ekonomistë, juristë ,etj , të cilët ishin fryte të mbjellur në këtë kopsht të dijes sonë, prandaj sot si drejtor i kësaj shkolle të çmuar, kam nderin dhe kënaqësinë të falënderoj sinqerisht të gjithë ata dhe ato që me sakrificën, përkushtimin dhe punën e tyre të palodhshme zunë rrënjë të thella në ngritjen dhe rritjen e dijes në mesin tonë, dhanë shumë për ne prandaj edhe duke ju falënderuar atyre që ishin dikur, ne jemi sot këtu, duke falënderuar ata dhe ato që janë sot do të kemi edhe mundësinë që këto kremtime të rrjedhin si një lumë që vazhdimisht kujton dhe përkujton gjeneratat e drejtorëve, mësimdhënësve dhe nxënësve që u bënë , janë dhe do të jenë organe jetike të kësaj peme të quajtur shkollë” ka thënë mes tjerash Burim Ugzmajli, drejtor I shkollës fillore “Skënderbeu” në Jezerc.
Edhe deputeti Haxhi Avdyli, familja e të cilit është nga Jezerci ka përshëndetur nxënësit dhe banorët e kësaj treve.
Haxhiu tha para të pranishmëve se edhe pse tani jeton me familje në Prizren ai dhe familja e tij asnjëherë nuk e kanë harruar Jezercin, vendin e Epopesë së Lavdishme të luftës për çlirimin e Kosovës. Haxhiu u tha banorëve të Jezercit se ai do të jetë zë edhe i kësaj ane në Parlamentin e Kosovës.
Me këtë rast nxënësit e shkollës para të pranishmëve shfaqën një program kulturo artistik.