Struktura komunale, nxënës, arsimtarë, por edhe prindër këtë të martë ishin mbledhur për të shënuar 31 vjetorin e themelimit të shkollës “Ganimete Tërbeshi” në Ferizaj.
Drejtoresha e kësaj shkolle Zymrite Berisha më këtë rast është shprehur se shkolla që ajo drejton që nga themelimi i saj ka treguar suksese si në mësim po ashtu edhe ne garat e diturisë. Ajo më tej ka folur edhe për investimet që ka bërë Komuna e Ferizajt, në këtë shkollë por edhe në paralelen e ndarë të kësaj shkolle në fshatin Muhovc.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e kësaj ditë.
“Orientimi i drejtë, në përputhje me prirjet individuale dhe me perspektivën zhvillimore të vendit, si dhe me nevojat e tregut të punës, ka rëndësi të dorës së parë, jo vetëm për nxënësit, por edhe për zhvillimin e ardhshëm të shoqërisë sonë. Duke u nisur nga ky fakt, shkolla do të duhej të jetë më e përqendruar në ofrimin e ndihmës dhe përgatitjes së nxënësve për të përballuar testet e arritshmërisë dhe të maturës. Synimi ynë nuk është që të organizojmë dhe të mbajmë teste formale, në të cilat nxënësit do të provojnë shkathtësitë e tyre për të kopjuar, por një moment i rëndësishëm në jetën shkollore për nxënësit dhe për vetë institucionet arsimore, ku do të kurorëzoheshin arritjet disavjeçare të të gjithëve bashkërisht dhe arritjet individuale të secilit nxënës. Na duhet garë për dije, shkathtësi e shprehi, që garantojnë breza të dijshëm, të cilët do ta çojnë përpara zhvillimin ekonomik, shoqëror, arsimor, shëndetësor e kulturor të këtij vendi”, ka thënë kryetari Svarqa.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i këshillit drejtues të kësaj shkolle Faton Hasani.
Në fund u ndan mirënjohje të shumta për të gjithë ata që dhanë kontribut të çmuar në rregullimin e kësaj shkolle. Po ashtu u shfaq edhe një program i pasur kulturo artistik i përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.