Ferizaj.20.maj.2016. Shkolla e mesme e muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj ka pranuar një Pianino, donacion nga Zvicra.
Pianino të cilën e ka pranuar shkolla e mesme e muzikës “Çesk Zadeja” është në vazhdën e ndihmave të cilat po i dërgon Julie Tompkins-Wagner nga Zvicra me të birin e sajë Brus Wagner.
“Është kjo një pianino të cilën na e ka dërguar profesoresha e pianos nga Kantoni i Lozanës , Julie Tompkins-Wagner. Kjo nuk është hera e parë që ajo po ndihmon shkollat e muzikës në Kosovë. Në një takim me të në Prishtinë kemi biseduar që shkollat në qendrat tjera të Kosovës kanë problem me mjete, pra me instrumente. Ajo ka pëlqyer këtë ide dhe menjëherë ka filluar që të grumbulloi instrumente të ndryshme dhe të na i dërgoi “ tha Astrit Mustafa profesor i muzikës.
Mustafa tha se zonja Julie Tompkins-Wagner që nga atëherë sa herë që gjen ndonjë instrument menjëherë na e dërgon.
“ Na ka dërguar vegla të perkusionit,violina dhe shumë instrumente tjera që janë shumë të vlefshme për shkollën tonë”
Por për këtë donacion të fundit Mustafa ka falënderuar edhe djalin e Julias, Brus Wagner , vetëm 14 vjeçar i cili ishte iniciator i këtyre ndihmave për Kosovën.
Këtë donacion më së miri e ka pritur drejtoresha e shkollës së muzikës Melihate Kelmendi e cila tha se falë këtyre donacioneve mundësohet mbajtja e mësimit ashtu siç do të duhej në një shkollë profesionale.
“Shkolla jonë ka nevojë shumë për instrumente muzikore e sidomos për pianino. Ky është një instrument i cili na duhet për secilën lëndë” tha Melihate Kelmendi , drejtoreshë e shkollës së mesme të muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj.
Por këtu nuk u harrua të falënderohet edhe kompania transportuese “Eliot Trans” e cila sa herë ka pas ndonjë donacion nga Zvicra e ka bërë transportin gratis.