Këtë të enjte në qytetin e Ferizajt vazhdon nata e katërt e Festivalit të Teatrove, që sivjet bën bashkë trupa teatrale nga Kosova, nga Shqipëria e nga Maqedonia dhe shfaq gjithsej shtatë shfaqje teatrale. Pas tri shfaqjeve paraprake mysafire, në teatrin “Adriana”, më 24 tetor, para publikut në Ferizaj jepet shfaqja “ UN Inspektori”, e regjisorit Erson Zymberi. Shfaqja është ndërtuar mbi veprën “Revizori” të Gogolit, por e sjellë dhe e përshtatur për aktualitetin e shekullit të ri nga regjisori Zymberi, shkruan gazeta “Zëri”.
Në shfaqje luajnë: Kushtrim Qerimi, Jajush Ramadani, Sherif Bega, Kushtrim Emërllahu, Milot Salihu, Edona Berisha, Dardana Mehmeti, Urata Shabani, Arben Marevci, Dashuri Rexhepi, Valdrin Osmani, Ali Krasniqi, Durim Neziri, Ekrem Jakupi dhe Nexhat Xhokli.
Të premten në Festivalin e Teatrove në Ferizaj prezantohet shfaqja “Erdhi Godoja”, nga regjisori Shkëlzen Berisha dhe nga aktorët e Teatrit të Gjilanit. Festivali vazhdon natën e parafundit me teatrin “Avdush Hasani” nga Podujeva, me shfaqjen “Ditë vere”.
Festivali i Teatrove në Ferizaj mbyllet më 27 tetor 2019, me shfaqjen e “Art-Polis”-it në Prishtinë, “Kanuni i gruas”, me regji të Arlinda Morinës dhe me ndarjen e çmimeve të Festivalit.
Në kuadër të këtij festivali të mërkurën u promovua edhe vepra studimore “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e regjisorit tashmë të ndjerë Bekim Lumit. Për të folur për këtë vepër në Ferizaj u mblodhën dashamirët e artit skenik e miqtë e Lumit.
Përveç shfaqjeve, gjatë këtij festivali pritet të ketë edhe aktivitete tjera, si tryeza, opinione, punëtori e takime tjera rreth skenës teatrore. Të gjitha shfaqjet fillojnë nga ora 20:00 në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Ky festival mbledh çdo vit në këtë qytet regjisorë dhe trupa teatrale nga të gjitha vendet shqipfolëse.
Festivali i Teatrove në Ferizaj është njëri nga festivalet më të vjetra në Kosovë, i cili ka vite që ka karakter mbarëkombëtar, përkatësisht me shfaqjet e tyre marrin pjesë teatro nga të gjitha hapësirat shqiptare. Ky festival në komunën e Ferizajt është ngjarja më e vjetër dhe më e rëndësishme kulturore.