22,12,2024

SHESH, TREG, APO AKSHAM PAZARI

Must Read

 

Shkruar nga Gazmend Bytyqi

Ne, në qytetin e Ferizajt, fatkeqësisht, sot e kësaj dite kemi pak sheshe, pak shëtitore, e pothuajse fare gjelbërim brenda qytetit.

Në fakt, kujtoj se kemi pasur një shesh në qendër, një shesh, ku mund të ecnim lirshëm të gjitha moshat, besa kishte edhe stola ku mund te pushonim.

Drurët në shumicën e stolave na bënin hije, e një shatërvan modern, përveç që na freskonte, na bënte të ndiheshim sikur:

Sikur patëm filluar që qytetit tonë t’i japim fizionomi paksa më qytetare!

Sikur qyteti ynë, nga një kasaba, po shndërrohej në një qytet, që na e kishin lakmi!

Sikur me këso investimesh po i jepnim pamje dhe orientim sa më evropian!

Po besoj që secili nga ju ka shumë ‘sikur’.

E këto ditë, e kemi humbur edhe sheshin, edhe parkun pas postës.

Në ish-sheshin tonë, tani mund të blesh çdo lloj cikërrime, çdo lloj lodre, çdo lloj CD-je me çfarëdo muzike, nga ato tallave, që buçasin në shesh, e deri tek ato rap apo rapsodike.

Fëmijët tanë mund të ngasin në grumbullin e qytetarëve, që s’kanë nga të ecin, fëmijët mund të qëllojnë me topa sa të duan në këto lojëra, adoleshentët apo të fortit qëllojnë me boksa, sërish në lojëra!

Të moshuarit tanë mund të ulen diku, ku shitësit kanë bërë ‘rahmet’ dhe nuk e kanë zënë stolin me mallra! Ata të cilët dëshirojnë të shëtisin, vetëm, me familje apo me shoqëri, këtë mund ta bëjnë vetëm dimrit, ndoshta?

E kur krejt kjo bëhet për qëllime politike, e krejt pak praktike, shumë besoj që është jashtë çdo lloj logjike të shëndoshë!

Këtë tjetërsim sheshi, këtë prapakthim në dekada, kur pazaret bëheshin kudo e nga kushdo, po e bën vetëm kjo qeverisje e krisur e qytetit tonë!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img