Sot në Ferizaj është shënuar 28 Shtatori – Dita e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për rajonin e Ferizajt.
Kjo ditë ndërlidhet me betejën e njohur si “Epopeja e Jezrcit”, që u zhvillua në fundin e shtatorit të viti 1998, me ç’rast në këtë vend ranë me armë në dorë luftëtarët e UÇK-së, Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Sali Baliu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu.
Kryetari i Ferizajt Agim Aliu ka vënë në dukje se kjo ditë mbetet në vetëdijen tonë si dita e skalitjes së lavdisë, heroizmit dhe sakrificës.
“Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Ferizajt, nderojmë sot e sa të jetë jeta, kujtimin, veprën, sakrificën sublime, fisnikërinë e atdhedashurinë e më të ndriturve, Dëshmorëve të Kombit!Themelet e Kosovës u ngritën me gjakun e tyre, që sot, burra e gra, të moshuar e të rinj, të marrin frymë lirshëm në tokën stërgjyshore. E liria vërtet ka emër, ka emrin e secilit Dëshmorë të Kombit, ka emrin e çdo beteje për liri, ka emrin e lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit e të rënëve për liri! Respekt sa të jetë jeta, familjeve të Dëshmorëve të Kombit! Urime Dita e Dëshmorëve të Komunës së Ferizajt!” ka thënë Aliu



