Të shtunën në Ferizaj, është shënuar 57 vjetori i themelimit të shkollës së mesme të ulët “Tefik Canga” në Ferizaj.
Të pranishëm në këtë manifestim kushtuar kësaj ditë ishte kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Faruk Guri, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milazim Haliti, drejtorë të drejtorive komunale, si dhe mysafirë nga Shqipëria ishin familjarët e mësimdhënësve të parë që dhanë mësim në këtë shkollë.
Me këtë rast kryetari Svarqa duke përshëndetur të gjithë të pranishmit ka theksuar se arsimimi dhe edukimi cilësor i brezave, sidomos i fëmijëve dhe të rinjve, gjithmonë ka qenë me rëndësi të dorës së parë, meqë, me edukimin e mirë të tyre, ne hedhim farën e shëndoshë për një të nesërme më të begatë e më të mirë.
“Edukimi dhe arsimimi cilësor sot është edhe më i rëndësishëm, sepse kemi të bëjmë me konkurrencën pakrahasueshëm më të madhe, e cila do të rritet edhe më shumë, sepse edhe ne si kosovarë synojmë të bëhemi pjesë e rrjedhave zhvillimore evropiane. Një ditë kremte, si kjo e juaja sot, paraqet një rast të mirë që ne të reflektojmë për arritjet tona në fushën e arsimit dhe të edukimit, për investimet që po bëhen për zgjerimin e hapësirës shkollore dhe për konceptimin, shtjellimin dhe zbatimin e përmbajtjeve mësimore, të cilat i përgatisin sa më mirë fëmijët dhe të rinjtë për jetën e tyre të ardhshme. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që na shoqërojnë në realizimin e synimeve tona, për të pasur hapësirë të mjaftueshme e të shëndetshme shkollore, plane e programe me përmbajtje të tillë teorike e praktike, që i aftësojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë për të qenë njerëz të zotë për të përballuar me sukses sfidat zhvillimore të këtij mijëvjeçari, në të cilin sapo kemi hyrë. Por, pushteti lokal i Ferizajt përgjithësisht dhe Drejtoria e Arsimit, janë në dispozicion që të angazhojnë të gjitha mundësitë financiare dhe burimet njerëzore, për t’i ndihmuar shkollat që ta realizojnë synimin e tyre fisnik. Sepse, siç e dimë të gjithë, nuk ka investim më të qëlluar se investimi në arsim dhe edukim. Arsimimi dhe edukimi cilësor, reflektohet pashmangshëm në përparimin e të gjithë lëmenjve të tjerë të jetës, në ekonomi, shëndetësi, infrastrukturë, në cilësi të jetesës, kulturë, sport etj”, ka thënë kryetari i Komunës Muharrem Svarqa.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe drejtoresha e kësaj shkolle Ganimete Konjufca.
Po ashtu një fjalë përshëndetëse të pranishmit i ka përshëndetur edhe historiani Ibrahim Rexhepi-Goga.
Me këtë rast është bërë edhe zbulimi i një pllake përkujtimore në nderim të gjithë mësimdhënësve që kanë kontribuar për arsimimin e gjeneratave në këtë vend. Po ashtu para bustit të “Tefik Cangës” u vendosën edhe kurora me lule, ndërsa nxënësit kishin përgatitur edhe një program të pasur kulturo artistik.