SHBA: Prokurori Bharara thotë se është shkarkuar pasi nuk dha dorëheqje

Share

Prokurori federal në Menhetën të Nju Jorkut, Preet Bharara, 48 vjeçar, mbrëmë në rrjetin Twitter ka njoftuar për shkarkimin e tij.

“Nuk kam paraqitur dorëheqje. Para disa çasteve jam shkarkuar”, ka shkruar Bahrara në Twitter dhe ka shtuar se “duke qenë prokuror amerikan do të jetë përgjithmonë nderi më i madh në jetën time profesionale”.

Departamenti i drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se zoti Bharara nuk është më prokorur amerikan, por nuk ka dhënë komente të mëtejshme.

Shkarkimi i tij u bë pasi prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, ka kërkuar dorëheqje nga 46 prokurorë të mbetur, që ishin nominuar nga ish-presidenti, Barack Obama.

Pothuajse është e zakonshme që presidenti i ri t’i zëvendësoj të 93 prokurorët në gjithë Shtetet e Bashkuara, por zakonisht kjo bëhet për një periudhë më të gjatë.

Ky zhvillim ka ndodhur tre muaj pasi atëherë presidenti i zgjedhur, Donald Trump, kishte kërkuar nga Preet Bharara, që të mbetet prokuror, ndërsa Bharara ishte pajtuar.

Në juridiksionin e tij përfshihej rajoni Menhetën në Nju Jork, ku ai ishte marrë me disa raste të profilit të lartë të korrupsionit.

Ai, po ashtu, nga revista Time ishte paraqitur në ballinën e saj, pasi në mënyrë të suksesshme kishte zhvilluar procese të rasteve të tregtisë së brendshme në Wall Street.

Të ngjashme: