Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte dërguar letër Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, duke i thënë se caktimi i kompanisë britanike për të zgjedhur persona të caktuar në pozita të larta është e jashtëligjshëm.
Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministri i Financave Avdullah Hoti duke u thirrur në memorandumin e nënshkruar me britanikët e kishin emëruar drejtorin e Doganave te Kosovës Bahri Berishën.
Ambasada britanike në një reagim të saj ka thënë se memorandumi ka qenë në përputhje me ligjin dhe se gjithçka ka qenë në rregull me zgjedhjen e drejtorit të ri të Doganave.
Por, për drejtorin e ri ka ardhur edhe një mbështetje e fortë nga Ambasada e Shtetetve të Bashkuara të Amerikës sot në një aktivitet në një seminar ku është folur për etikën në qeverisjes, transmeton Gazeta Express.
E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane Colleen Hyland, e cila i ka uruar “një mirëseardhje të ngrohtë drejtorit të ri gjeneral të doganave ndërkohë që në faqen e Ambasadës është postuar edhe një fotografi e përbashkët e diplomates amerikane me drejtorin e ri të Doganave.
“Jam e kënaqur me mikpritjen në programin për Zhvillimin e ligjit Komercial CLDP, nga Departamenti Amerikan i Tregtisë. Në këtë rast, dua të falënderoj Doganën e Kosovës dhe Doganat e SHBA’së dhe Mbrojtjen Kufitare për koordinimin e ngushtë”, ka thënë Hyland.
Ajo ka potencuar se si pjesë e ndihmës së Qeverisë së SHBA-së në Kosovë, ambasada ka kërkuar nga CLDP të ofrojë asistencë teknike për të gjithë mbi etikën e standardizimit dhe praktikat më të mira për anti-korrupsion.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe dy ekspertë amerikanë, Dana Jacob, prokurore e lartë në Zyrën e Etikës në Departamentin Amerikan të Tregtisë dhe Edmund Estrada, U.D Drejtor në Zyrën e Përgjegjësisë Profesionale në zyrën e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare në SHBA.
“Gjatë viteve të fundit, Ambasada ka punuar ngushtë me Doganat për të përmirësuar përformancën, rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit. Ne kemi qenë jashtëzakonisht të kënaqur me procesin e iniciativës së Doganës”, ka thënë Hyland.
“Ne kemi parë përpjekje të përqendruar në zbatimin dhe vlerësimin e rrezikut të bazuar, instalimin e kamerave CTV, ndihmuan në eliminimin e mundësisë për korrupsion. Këto përpjekje kanë filluar të paguhen. Të ardhurat në vitin 2015 dhe 2016 kanë tejkaluar parashikimet tona”.
Ajo thotë se perceptimi publik për korrupsionin në Dogana ka rënë në mënyrë dramatike. “Publiku e ka parë Doganën si një nga organizatat më të korruptuara”.
“Në tetor të 2016 nga raporti Pulsi Publik i përgatitur nga USAID-i dhe UNDP-ja, pamë 5 për qind e të anketuarve të cilët kanë raportuar se u ishte kërkuar të paguajnë një ryshfet gjatë 12 muajve të fundit. Ne kemi një mundësi që ta ulim këtë numër në zero”, thotë Colleen Hyland.
“Me ndryshimet e fundit në udhëheqje, Dogana e Kosovës është në një moment të rëndësishëm. Ne duam të shohim se do të ketë sukses, dhe ne do ta ndjekim këtë proces nga afër. Ne presim të shohim të ardhura të vazhdueshme, pasi doganierët ta bëjnë shërbimin e tyre e jo për përfitime personale. Në presim që të shohim llogaridhënie për përformancë, Siç kam thënë, ne do të vazhgojmë procesin”, ka potencuar Hyland.
Trajnimi i sotëm është një mundësi për të ndihmuar dhe ofruar këto qëllime ka potencuar Hyland.
“Ne besojmë në të ardhmen e Kosovës si një anëtare e fortë dhe e çmuar në sistemin botëror të tregtisë”.