Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka bërë të ditur se janë takuar me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci nga e cila kanë kërkuar që procesi mësimor të normalizohet në tërësi pas situatës së qetë me pandeminë.
SBASHK-u në njoftimin për media thotë se ka kërkuar që paralelet e ndara në grupe të bashkohen prapë dhe orët mësimore të jenë në kohëzgjatjen e duhur.
“Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri i kanë prezantuar këtë kërkesë Ministres së MASHTI-t duke e argumentuar me faktin se situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm dhe se janë krijuar kushtet që arsimit në Kosovë t’i kthehet në tërësi normaliteti duke nënkuptuar që paralelet e ndara në grupe të bashkohen prapë dhe orët mësimore të jenë në kohëzgjatjen e duhur”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë treguar në këtë takim se edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut e shtete të tjera e kanë normalizuar në tërësi procesin mësimor, duke vazhduar me respektimin e masave mbrojtëse.
Sipas njoftimit të SBASHK-ut, ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci është shprehur se edhe ajo ka qëndrim të njëjtë lidhur me këtë çështje dhe prandaj përkrah këtë propozim dhe se në takimet e komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera gjegjëse do të kërkojë që të aprovohet ky propozim.