Sahiti: Ferizaj po përballet me një krizë alarmante të furnizimit me rrymë

Share

KRIZË ENERGJETIKE NË FERIZAJ:

Reagon Drejtori i Shërbimeve Publike, kërkohet trajtim urgjent për qytetin Ferizaj po përballet me një situatë shqetësuese si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve lokale.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Komunën e Ferizajt, Alberton Sahiti, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, e ka cilësuar këtë gjendje si një krizë alarmante të furnizimit me energji elektrike. Sipas Sahitit, një nga qytetet më të zhvilluara ekonomikisht në vend po lihet në një situatë të papranueshme, duke u përballur me ndërprerje të vazhdueshme të rrymës.

“Ferizaj po përballet me një krizë alarmante të furnizimit me energji elektrike. Një nga qytetet më të zhvilluara ekonomikisht lihet nën mëshirën e KEDS-it, ndërkohë që bizneset tona po përballen me sfida të mëdha dhe të papërballueshme,” ka shkruar Sahiti.

Ai ka theksuar se qyteti tashmë po hyn në javën e dytë të kësaj situate, ku shumë biznese janë detyruar të përdorin gjeneratorë për të vazhduar aktivitetin e tyre, duke përballuar kosto shtesë të konsiderueshme. “Gjeneratorët janë bërë një domosdoshmëri me kosto jashtëzakonisht të lartë, duke rënduar edhe më shumë ekonominë lokale,” ka shtuar ai.

Drejtori Sahiti ka bërë thirrje për një trajtim më serioz dhe të menjëhershëm ndaj Ferizajt, duke theksuar se qyteti dhe banorët e tij nuk mund të vazhdojnë të injorohen. “Ferizaji meriton një trajtim tjetër. Qyteti dhe banorët e tij nuk mund të injorohen më,” përfundon reagimi i tij.

Ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët dhe komuniteti i biznesit, të cilët kërkojnë zgjidhje urgjente dhe furnizim të qëndrueshëm me energji.

 

Të ngjashme: