Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka miratuar një vendim të ri për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës në tregun vendor, me qëllim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë në formimin e çmimeve.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar vendimin për vendosjen e një mekanizmi të ri ditor të çmimeve maksimale të lejuara për derivatet e naftës, i cili hyn në fuqi nga data 05.04.2026.
Ky vendim vjen si rezultat i analizës së vazhdueshme të tregut të derivateve, përmes të dhënave të importit dhe monitorimit të lëvizjeve të çmimeve në tregun ndërkombëtar, si dhe vlerësimeve të institucioneve mbikëqyrëse të tregut.
Në bazë të këtij mekanizmi, Ministria do të publikojë çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, i cili do të bazohet në mesataren e importeve të përditësuara të 10 milion litrave për naftën (dizel) dhe 1 milion litrave për karburantet tjera.
Për ditën 05.04.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon:
• Nafta (dizel): 1.86 euro/litër;
• Benzina: 1.49 euro/litër Ky vendim synon të sigurojë një qasje më të drejtë dhe të unifikuar në treg, duke shmangur luhatjet e menjëhershme dhe të paarsyeshme të çmimeve në nivel të shitjes me pakicë.
Ministria thekson se asnjë operatorë ekonomikë nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal ditor të publikuar. Për zbatimin e këtij vendimi do të rritet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në koordinim me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës.
MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri, me qëllim garantimin e një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit. Këto masa nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës.
Shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

