Situata më e vështirë është në rrugën që lidh Kumanovën me komunën e Likovës, mu përpara objektit të shkollës së mesme ekonomike “Pero Nakov” me mësim në gjuhën shqipe. Për këtë shkak nxënësit dhe prindërit dolën në protesta duke kërkuar nga autoritetet të ndërmarrin masa urgjente.
“Unë kam ardhur këtu që ta marr vajzën nga këtu për në shtëpi, unë edhe pse person invalid po jam I detyruar ta marr vajzën ta kalojë rrugën. Institucionet duhen të ndërmarrin masa në lidhje me këtë problem”, tha një prind.
“Asnjëherë nuk kanë ndërmarr masa pasi që mësojë këtu tash e 4 vite gjendja është kështu si është”, u shpreh një nxënës.
“Situata është shumë e përkeqësuar siç mund ta shihni edhe vet. Kisha apeluar deri te autoritetet komunale por edhe ato qendrore që të gjejnë zgjidhje sepse çdoherë të njëjtat probleme nuk mund të kalojmë rrugën”, tha një nxënës.
Drejtori i shkollës Elham Ademi , thotë se i ka alarmuar autoritetet lokale për problemin, i cili pas çdo reshje të shiut e borës.
“Ne në momentin që pamë gjendjen e shkaktuar nga ujërat gjendje e cila pengon jo vetëm nxënësit por edhe komunikacionin, me një fjalë nxënësit nuk kanë mundësi të hyjnë në shkollë, intervenuam në “N.P. Ujësjellësi” dhe të njëjtit na premtuan se do vijnë e ta rregullojnë këtë problem” , tha Elham Ademi, Drejtor i Shkollës së mesme ekonomike “Pero Nakov”.
Ndërkohë deri sa kamera jonë po filmonte, në terren kishte mbërritur një ekip i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi“ për të zhbllokuar pusetën që gjendej në oborrin e shkollës. /alsatm/