Ferizaj

Rruga Ferizaj- Gjilan emërtohet, “Beau Biden”

By FerizajPress

June 08, 2016

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për emërtimin e rrugës Gjilan-Ferizaj me emrin Beau Biden, djalit të ndjerë të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden.

Qeveria aprovoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, foli për rëndësinë e kësaj marrëveshje, duke thënë se qëllimi i saj është bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit në arsim, kulturë e fusha të tjera. Hoxhaj tha se ratifikimi i kësaj marrëveshje është në linjë të plotë me obligimet që ka Kosova me MSA-në.

Kabineti qeveritar mori vendim për emërtimin e rrugës Gjilan-Ferizaj me emrin Beau Biden, djalit të ndjerë të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden.

Me urime e ka nisur mbledhjen e Qeverisë kryeministri, Isa Mustafa. Ai ka uruar Hajredin Kuçin dhe Enver Hoxhajn për detyrat e reja. Ky i fundit ka nisur detyrën si ministër i Jashtëm, ndërsa Kuçi, përveç ministër i Drejtësisë, tani është edhe zëvendëskryeministër.

“Unë ju uroj punë të mbarë e suksese, dhe po ashtu kam bindjen time se me bashkëpunim të thellë dhe përkushtim do t’i realizojmë objektivat që ne i kemi”, tha Mustafa.

Enver Hoxhaj, që në këtë mbledhje si ministër i Jashtëm, prezantoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, përkitazi me themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor, të cilës Qeveria i dha mbështetje. Hoxhaj foli për rëndësinë e kësaj marrëveshje, e cila duhet të ratifikohet në Kuvend.

“Palë nënshkruese të kësaj marrëveshje janë Kosova, Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. Marrëveshja ka për qëllim kryesor krijimin e një fondi të përbashkët i cili do të financonte projekte të vogla dhe të mesme në fusha të arsimit, kulturës, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të mjedisit, bashkëpunimit ndërkufitar dhe shumë fusha të tjera”, tha Hoxhaj.

Qeveria ndërkaq aprovoi marrëveshjen financiare për programin IPA 2016 me Bashkimin Evropian, ndërsa aprovoi edhe vendimin për emërtimin e rrugës Gjilan-Ferizaj me emrin e djalit të ndjerë të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden. Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se këtë iniciativë e kanë ndërmarrë kryetari i komunës së Gjilanit dhe ai i Ferizajt.

“Ministria e Infrastrukturës e ka përkrahur këtë iniciativë duke u nisur nga fakti se jeta dhe vepra e Beau Biden në mënyra të ndryshme vazhdimisht ka qenë e lidhur me Kosovën, konkretisht me shtetndërtimin dhe demokratizimin e institucioneve tona”, tha Zharku.

Gjatë kësaj mbledhje, Qeveria u dorëlirë ndaj kërkesave të ndryshme për ndarjen e mjeteve buxhetore. Në këtë mënyrë, kabineti qeveritar i ndau 190 mijë euro për pagesën e kontributit në fondin e inovacionit të mekanizmit të zhvillimit të ndërmarrësisë dhe inovacionit të Ballkanit Perëndimor, 9100 euro për Këshillin koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve në Kosovë, 20 mijë euro për asfaltimin e rrugës në fshatin Burkovë, dhe asfaltimin e rrugës për në Manastirin Ortodoks në Budisalc dhe 20 mijë euro për manifestimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve

“Po ashtu sot në mbledhje prezantova nismën për marrëveshjen për fondet e para-anëtarësimit IPA2016 që së do të fokusohet në tre sektorë kryesor: financimi i reformës së administratës publike, rritja e konkurrueshmërisë dhe përkrahje për të drejtat e njeriut dhe komunitetet. Pas miratimit të kësaj nisme, ne do të vazhdojmë konsultimet me Komisionin Evropian, në pajtim me procedurat tona të brendshme qeveritare dhe do të nënshkruajmë marrëveshjen në kohë optimale me qëllim të hapjes së mundësive që Kosova të përfitojë nga ana e fondeve të parapara në kuadër të programit 2016 ka thënë Ramadan Ilazi,zëvendës ministër për Integrime Evropiane