Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari priti sot eksperten në kuadër të projektit “Harmonizimi i Arsimit me Kërkesat e Tregut të Punës – ALLED”, znj. Michaela Handke, me të cilën bisedoi për mundësinë e bashkëpunimit mes UShAF dhe këtij projekti, i cili financohet nga Bashkimi Evropian.
Gjatë kësaj vizite në Universitet, znj. Handke ka promovuar Shtojcën e Diplomës (Diploma Supplement), e cila hapë shumë mundësi për studime dhe punësim në vende të ndryshme. Po ashtu, ajo ka promovuar edhe broshurën e punuar nga ALLED për mundësitë e mobilitetit të studentëve.
Rektori Bajraktari e njoftoi znj. Handke për punën e UShAF, si universiteti i vetëm publik në Kosovë që ofron programe nga shkencat e aplikuara, ndërsa foli edhe për kërkesat e shumta të të rinjëve për të studiuar në këtë Universitet, marrëveshjet e bashkëpunimit me universitete ndërkombëtare, bashkëpunimin e mirë me institucione dhe biznese vendore për punën praktike të studentëve dhe çështje të tjera.
Po ashtu, rektori Bajraktari theksoi edhe faktin se ka filluar shkëmbimi përvojave me universitetet ndërkombëtare, të cilat janë universitete prestigjioze dhe një mundësi e mirë për zhvillimin e UShAF.
Në këtë drejtim, Rektori falënderoi eksperten e ALLED-it për vizitën dhe theksoi se çdo ndihmë që vjen nga projekte serioze, siç është ky, është i një rëndësie të veçantë për Universitetin, e në veçanti për studentët dhe të rinjtë e Kosovës.
Znj. Michaela Handke u nda e kënaqur nga ky takim dhe vizita që i bëri Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe u shpreh e gatshme që të fillojë realizimin e bashkëpunimit në disa segmente.
ALLED është projekt për arsim, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim në bashkëpunim me MASHT. Projekti ka për qëllim forcimin dhe ngritjen e kualitetit të programeve mësimore dhe harmonizimin e tyre me kërkesat e tregut të punës, si parakusht për rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik.