02,05,2024

Rektori Bajraktari po qëndron në Universitetin e Ekologjisë dhe Menaxhmentit në Varshavë

Must Read

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, z. Agron Bajraktari dhe prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Sigurim të Cilësisë, z. Bujar Pira, po qëndrojnë në Universitetin e Ekologjisë dhe Menaxhmentit në Varshavë të Polonisë, si rezultat i bashkëpunimit ndëruniversitar që UShAF ka me këtë Universitet (në kuadër të programit Erasmus+).

Gjatë takimit me prorektoren, znj. Justyna Klys dhe dekanë të këtij Universiteti, rektori Bajraktari foli për universitetin që ai e drejton dhe theksoi se si universiteti më i ri publik në Kosovë dhe i vetmi i kësaj natyre, ka shumë nevojë për përvojën e universiteteve më traditë, siç është Universiteti i Ekologjisë dhe Menaxhmentit në Varshavë.

Në këtë takim, u bisedua edhe për mundësi të reja të bashkëpunimit, ndërsa rektori Bajraktari falënderoi menaxhmentin e Universitetit që i ka hapur dyert për studentët dhe profesorët kosovarë dhe këtë e vlerësoi si një kontribut të madh për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, e si rezultat edhe të fuqizimit të ekonomisë së vendit tonë.

Ndërsa Prorektorja Klys falënderoi rektorin Bajraktari për bashkëpunimin dhe ndër të tjera përmendi edhe suksesin e jashtëzakonshëm të dy studenteve të UShAF, Alma Topalli dhe Alberta Maloku të cilat po qëndrojnë në këtë Universitet në kuadër të mobilitetit të studentëve.

Po ashtu, rektori Bajraktari dhe prorektori Pira mbajtën ligjëratë para studentëve të këtij Universiteti. Rektori Bajraktari u foli atyre për mënyrën e dizajnimit, parimet themelore të dizajnit të mobiljeve dhe trendet teknologjike në industrinë e drurit. Ndërsa prorektori Pira mbajti ligjëratë për produkt dizajn.

Rektori Bajraktari ka pasur takime edhe me dekanët: znj. Katarzyna Adamiak, z. Bogdan Gorczyca dhe z. Jan Center, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.

Gjatë këtij muaji do ta vizitojnë këtë Universitet edhe përfaqësues të administratës së UShAF. Po ashtu, në tetor të këtij viti, do të vijnë në UShAF profesorët e parë të Universitetit të Ekologjisë dhe Menaxhmentit të Varshavës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img