Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari po merr pjesë në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare të arsimit të lartë, e cila është emëruar “Plagjiatura në Evropë dhe përtej”, dhe po mbahet në Brno të Çekisë.
Kjo Konferencë, e organizuar bashkërisht nga Universiteti Mendel në Brno, Rrjeti Evropian për Integritetin Akademik dhe Këshilli i Evropës, synon të jetë një forum për ndarjen e praktikave dhe eksperiencave më të mira në adresimin e çështjeve të integritetit akademik.
Studiues nga vende të ndryshme të botës, do të paraqiten me ligjërata, prezantime, e studime të ndryshme në lidhje me plagjiaturën dhe gjetjen e mënyrave më të mira për parandalimin e kësaj dukurie.
Duke qenë se integriteti akademik po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në arsimin e lartë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, universitetet po përpiqen të krijojnë politika efektive dhe mjete elektronike, në mënyrë që plagjiatet të parandalohen, por edhe të zbulohen nëse veq kanë ndodhur. Prandaj, vlerësohet se diskutimi dhe shkëmbimi i përvojave është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.
Përveç rektorit Bajraktari, në këtë Konferencë po marrin pjesë edhe rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Prof. Dr. Ramë Vataj, rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Prof. Dr. Alush Musa, si dhe disa prorektorë të universiteteve publike.