Ish-kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, njoftoi se ka vendosur t’i hyjë garës për ta udhëhequr komunën jugore të vendit si kandidat i pavarur.
Ai tha se paraprakisht ka pranuar një listë me mbi 1200 nënshkrime të qytetarëve që ia kërkuan këtë.
“Të nderuar qytetarë të Hanit të Elezit, pas pranimit nga ana e juaj të listës me mbi 1200 nënshkrimeve për kandidimin tim për kryetarë të komunës së Hanit të Elezit si Kandidat i Pavarur dhe pas çertifikimit nga ana e KQZ-së, nën moton “Gjithnjë në shërbim të popullit”, unë kam vendosur t’i hyjë garës për kryetar të komunës së Hanit të Elezit që do të mbahen me 12 tetor të këtij viti”, tha Suma përmes një postimi në Facebook.
“Ashtu sikurse mandatet e kaluara që bashkarishtë me ju dhe donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë që realizuam projektet e shumëta në interesin tuaj, ashtu edhe në të ardhmën, me ndihmën e Zotit dhe donatorëve si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, bashkarisht me ju do të realizojmë projektet që do të përcaktohen nga ana e juaj nëpër debatet publike”, shkroi ai.
Suma i luti qytetarët që të mos etiketojnë apo fyejnë kandidatët për kryetar apo ata për këshilltarë të Kuvendit Komunal të Hanit të Elezit.
“Ju duhet të votoni vetë sipas bindjes tuaj të lirë, pa ndikim e pa presion nga askush, votoni ata që ju mendoni se është më i miri dhe punon për interesin e komunës suaj”, shkroi Suma.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Rufki Suma humbi përballë Mehmet Ballazhit të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili u zgjodh kryetar i Komunës.