Ferizaj

Reçica: Abuzimi në Drenas, akt i shëmtuar kriminal

By FerizajPress

February 08, 2019

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Elmi Reçica në seancën e jashtëzakonshme, shprehu indinjatën e thellë për ngjarjen e fundit që lidhet me rastin e abuzimit seksual ndaj një nxënëseje të mitur në Drenas.

Kjo vepër sipas Reçicës duhet dënuar ashpër ngaqë është akt kriminal.

“Ngjarje fatkeqe që vërtetë ka shkaktuar hidhërim dhe tronditje të madhe në opinionin e gjithëmbarshëm të vendit tonë. Me këtë rast patjetër që duhet shprehim keqardhje të thellë për vajzën dhe familjen e saj për të gjitha ato dhimbje, vuajte, shpërdorim, mashtrim, kërcënim, keqpërdorim nëpër të cilat ka kaluar e mitura dhe familja e saj. Në çdo rast është e pa pranueshme dhe e dënojmë ashpër me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal”, ka thënë Reçica.

Deputeti Reçica ka bërë thirrje të gjitha autoriteteve përgjegjëse, ligjzbatuese që të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme dhe të duhura me qëllim të hetimit dhe trajtimit të këtij rasti, në mënyrë që drejtësia të zbardh rastin në tërësi.

Ai më tej ka kërkuar që projektligji për mbrojtjen e fëmijëve të sillet sa më shpejt në Kuvend që të votohet në leximin e dytë, që është një nga format e këtij parlamenti për parandalimin e rasteve abuzive.