PDK , dega në Ferizaj, ka reaguar pas deklaratave të sotme të LVV në Ferizaj, se arsimi në Ferizaj është kapur nga njerëz të caktuar, PDK i vlerëson fyerje dhe shpifje.
Në reagimin e PDK-së thuhet se puna e individëve të cilët kontribuuan që Ferizaj të mos mbetet e vetmja qendër pa një institucion të lartë të shkollimit si duket ka penguar ata të cilët gjatë kësaj kohë vetëm shkatërruan.
Për më shumë lexoni komunikatën e plotë lëshuar nga PDK ,dega në Ferizaj.
Reagim ndaj deklaratës së LVV-së në Ferizaj
Partia Demokratike e Kosovës Dega në Ferizaj, reagon ndaj komunikatës së sotme të nën-komitetit për arsim të LVV-së në Ferizaj, në lidhje me fyerjet dhe shpifjet ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Komuna jonë z. Elmi Reçica.
Po hyjmë në vitin e katërt të qeverisë lokale në Ferizaj, ku Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj nuk iu dëgjua zëri asnjëherë si opozitë, ndërsa këto ditë duke parë që qendra e saj në Ferizaj dita e ditës është duke u shuar, ka filluar të mbajë konferenca të njëpasnjëshme për të treguar se ekzistojnë.
Akuzat e saj të drejtuara ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës Kosovës për politizimin e arsimit në Ferizaj sa janë qesharake aq janë tendencioze.
Të gjithë qytetarët e Ferizajt e dinë më së miri kontributin e jashtëzakonshëm të deputetit Elmi Reçica që nga viti 2008 për hapjen e këtij Universiteti publik në Ferizaj.
Kujtojmë që i vetmi, qyteti i Ferizajt nga qendrat e mëdha të Kosovës nuk kishte universitet, por këmbëngulësia e deputetit Reçica bëri që edhe Ferizaj të bëhet qytet universitar.
Qytetarët e Ferizajt e dinë mirë që në kuvendin e Kosovës, kishte deputet të LVV nga Ferizaj, bënë shumë pak për të mos thënë asgjë për këtë Universitet.
Konsiderojmë që sulmet e tilla të ulëta ndaj deputetit Elmi Reçica janë të ulëta jo vetëm ndaj tij personalisht, por ndaj gjithë qytetarëve të Ferizajt të cilët janë shumë mirënjohës për kontributin e tij ndaj qytetit dhe qytetarëve të Ferizajt, jo vetëm për hapjen e universitetit publik, por edhe në fushën e shëndetësisë ku bëri që Ferizaj të ketë jo një qendër emergjente siç e kishte më herët, por të behej qendër regjionale spitalore.
Respekti ndaj tij u argumentua me besimin që ja dhanë qytetarët, ndërsa shpifjet e tilla nuk janë asgjë më shumë se një retorikë boshe për të njollosur figurat që dhanë dhe vazhdojnë të japin për vendin tonë! Universiteti i Ferizajt është një nga institucionet më perspektiv nga të gjitha institucionet e shkollimit të lartë, jo vetëm në regjionin tonë.
PDK Dega në Ferizaj