Ferizaj

Reagon “Pastërtia” : Komunikata e FRO-05 shpifje dhe dezinformatë

By FerizajPress

November 08, 2016

Pas publikimit të një deklarate absurde të një të ashtuquajturi Forum Regjional i Organizave Joqeveritare FRO-05, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia”  është e detyruar të reagojë kundër shpifjeve si dhe dezinformtave që ky trup ka plasuar në medie.

Duke nisur që nga fotografitë e postuara *(shih atë me kontejner) prapavija tregon se në fakt ky Forum është vonuar me reagim pasi njëra nga fotot tregon se është nga koha e verës derisa ne i jemi afruar dimrit, kështuqë kjo tregon më së miri sinqeritetin dhe seriozitetin e kësaj organizate. Në fakt ripërtypja e këtyre fotografive tregon përtacinë e këtij Forumi që nuk mundohet të del nga zyra në terren të fotografoje gjendjen sot, dhe flet me foto të arkivit, derisa në anën tjetër është kompania ajo e cila, në vend të dy orareve angazhohet edhe me dy turne shtesë për të mbledhë mbeturinat dhe për ta pastruar qytetin.

FRO-05, madje me apo padashje, pa e ndarë qartë përgjegjësinë, në kokëlajm bën bashkëfajtore KRM “Pastërtia”, për fluturimin dhe glasimin e shpezëve mbi Ferizaj, gjë që kalon edhe përtej absurditetit.

Në fakt, ne e ftojmë këtë Forum Regjional që të ndihmojë kompaninë por edhe qytetarët që të mbrojmë pasurinë tonë të përbashkët, siç janë shportat nëpër qytet të cilat ne i zbrasim e i pastrojmë dhe nuk i mirëmbajmë.

Se, ka vend për kritikë dhe një e tillë është e mirëseardhur, ne si kompani kemi mirëkuptim, por nuk do të pranojmë asnjëherë nga asnjë organizatë qoftë ajo qeveritare apo joqeveritare, që të dezinformojë dhe të mashtrojë qytetarin.

 

KRM “Pastërtia”, SH.A. – Ferizaj

Arbër Ibrahimi

Zyrtar për Informim