Shumë protesta janë organizuar kundër arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë pas një urdhërarresti të Serbisë.
Postimi në Facebook:
Të dashur qytetarë, mbështetja kaq e madhe e kaq e shtrirë dhe e pandërprerë për asnjë moment për mua, është mbështetje dhe qëndrueshmëri, jo veç për mua, por për të drejtën tonë të përbashkët, që është krejt e përputhshme me të drejtën e drejtësinë individuale e kolektive, për të gjithë popujt e lirë!
E kam parë tash e një muaj karvanin e popullit tim që nuk sosej kurrë, e që marshonte në Prishtinë e në Tiranë, në Shkup e në Gjakovë, në Prizren e Malishevë, në Istog e në Podujevë, në Obiliq e Rahovec, në Vushtrri e në Deçan, në Kamenicë e në Lipjan, Ferizaj…e kështu me radhë gjithandej e deri sot me protestën e madhe në Pejë!
Po ashtu mijëra bashkëkombës që kanë protestuar me aq qytetari, që nga Amerika, Australia e deri te shtetet evropiane, Francë, Angli, Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Itali… Kur një popull është në këmbë, ai e di që është në të drejtën e tij, siç jemi të gjithë ne edhe këtë herë! Shpejt do të jemi bashkë, sepse kemi shumë punë për të bërë! Krenar me ju! Ramush Haradinaj.