Lajmin për heqjen e vizave për kosovarët, zëvendësministri i integrimeve evropiane, Ramadan Ilazi e ka pritur me një emocion të veçantë. Ai në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel ka thënë se është punuar që një kohë të gjatë që të jemi sot në këtë ditë kur Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës.
“Nuk ka më kushte që në duhet të plotësojmë që liberalizimi të ndodhë, por Komisioni Evropian pret nga ne që ta ratifikojmë demarkacionin me Malin e Zi. Krahas kësaj është sundimi i ligjit, rezultatet kundër krimit dhe korrupsionit, po ashtu nuk janë kusht konkret, por kjo është një sfidë që neve do të na përcjellë gjatë integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ilazi, duke shtuar se pjesa e dytë e këtij vitit do t’i gjejë qytetarët tanë me liberalizim të vizave.
Ilazi ka thënë se liberalizimi i vizave i ka kushtet e veta. “Në momentin kur kosovarët futen në një shtet të zonës Shengen, sigurisht që do të ketë kontroll. Policia kufitare do tu bëjë pyetje për motivin e vizitës dhe pastaj do të lejojnë që qytetarët tanë të futen në shtetin që ata dëshirojnë. Pra qytetarët duhet të jenë të pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme për të dëshmuar qëllimin e vizitës”, ka thënë zëvëndëminisitri i integrimeve.
Me liberalizim të vizave sipas Ilazit, ne kemi të drejtë të qëndrojmë deri në 3 muaj në vendet e zonës Shengen.
“Nuk kemi të drejtë pune, por nëse ne dëshirojmë të punojmë në këto shtete atëherë sigurisht që duhet të pajisemi me viza, po ashtu edhe te shkollimi, duhet të kemi vizë studentore”, ka deklaruar ai.
Nëse do të këtë migrim të kosovarëve dhe nëse do të këtë kërkesa për azil kjo do të ishte gjëja me e keqe që mund t’’i ndodhte këtij proces. Prandaj sipas Ilazit, ne duhet të ruhemi nga ndonjë suspendim i mundshëm. Se çka është dhe çfarë nuk është liberalizimi i vizave, ndiqeni intervistën e plotë.