Me kryeministrin bisedoi gazetari ynë në Beograd, Idro Seferi.
Kryeministri Rama: Unë besoj se është shumë pozitive, që është përcaktuar një raport, ku gjërat thuhen ashtu siç janë dhe është shumë pozitive, që sidoqoftë, tanimë e vërteta jonë e thjeshtë dhe e qartë lidhur me Kosovën rithuhet në Beograd, si një detyrim i patjetërsueshëm i kujtdo që flet shqip, pavarësisht se nëpërmjet anglishtes, në këtë vend. Nga ana tjetër, sigurisht që është e domosdoshme të vazhdojmë të ndërtojmë urën e paqes, të bashkëpunimit, të forcimit të ndërveprimeve, sepse tek e fundit, nga kjo përfitojnë njerëzit. Nuk duhet ta harrojmë në asnjë moment se njerëzve duhet t’u japim më shumë mundësi për ekonominë, për punësim, për ndërveprim dhe askush prej nesh nuk e ka një vend tregu që të jetë i mjaftueshëm për ambiciet dhe njëkohësisht për çfarë njerëzit meritojnë. Nga ana tjetër folëm edhe për disa çështje të tjera me kryeministrin, kryesorja çështja e zhbllokimit të ngërçit për interkonjeksionin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kam trajtuar me të edhe çështjen e UNESCO-s, kemi diskutuar edhe për shqiptarët në Preshevë. Më vjen mirë që është zhbllokuar dhe tashmë funksionon njohja e diplomave, një hap i rëndësishëm i kërkuar nga vet shqiptarët e Preshevës, që unë e ngrita këtu dy vite më parë dhe firmosëm një marrëveshje. Përgjithësisht mendoj se çdo takim, çdo komunikim është i vlefshëm, prandaj nuk i kuptoj kurrë ata që thonë: mos shko këtu, apo mos shko atje; mos tako këtë, apo mos tako atë.
TCH: Propozimi i zyrtarëve të Kosovës ishte pikërisht për shkak të Trepçës. Ju e përmendët Trepçën, por ishte gabim që erdhët? A mund të zgjidhet diçka me bisedime?
Kryeministri Rama: Unë mendoj se njerëzit duhet të bisedojnë edhe kur janë në pozicione diametralisht të kundërta. Kush është alternativa tjetër? T’i kthejnë kurrizin njëri-tjetrit? Çfarë zgjidhin duke i kthyer kurrizin njëri-tjetrit? Aq më tepër kur bëhet fjalë për palë, që janë të dënuara të bisedojnë, sepse janë të dënuar të bashkëjetojnë si dy fqinj që i ndan një mur.
TCH: Nesër do të ketë një takim të bizneseve kryesisht dhe do të flitet për ekonominë. Çfarë prisni dhe sa e rëndësishme është kjo?
Kryeministri Rama: Është shumë e rëndësishme, sepse krijimi i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Serbi, prezantimi i mundësive që sot Shqipëria ofron për sipërmarrësit e këtushëm, dhe mundësitë që sot Serbia ofron për sipërmarrësit e atjeshëm, krijimi i kushteve që sipërmarrësit të takohen me njëri-tjetrin dhe të mund të ndërtojnë nisma të përbashkëta, sjell vetëm gjëra pozitive për ekonominë reciprokisht, për lëvizjen dhe rritjen e hapësirës ku ne krijojmë zhvillim. Shqipëria është një treg i vogël, Serbia është një treg ndoshta pak më i madh, por përsëri shumë i vogël, dhe bashkimi i gjithë këtyre hapësirave për të ndërvepruar është një domosdoshmëri për secilin, interes i secilit. Nuk është se këtu po fiton njëri dhe po humbet tjetri. Këtu ose fitojmë të gjithë, ose të gjithë humbasim duke mos bërë gjërat e duhura. Nesër po ashtu janë edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore për të prezantuar përpara sipërmarrjes, por edhe publikisht, atë plan veprimi që ne e prezantuam si nismë tonën, i hartuar në bashkëpunim me BB-në dhe qeverinë serbe për të gjithë rajonin, për uljen dhe heqjen e sa më shumë barrierave tregtare, në mënyrë që këtu gjërat të funksionojnë. Neve duam që të shkojmë në Bashkimin Europian, por përpara se të bëhemi anëtarë të BE-së nuk na pengon askush që të sillemi si të ishim në BE me njëri-tjetrin, nga pikëpamja e rregullave, e kufijve etj.
.