Mikrobiologu Lul Raka u ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që sa më shumë të vaksinohen.
Raka ka thënë se “Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë”.
“Te varianti Alfa këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë”, shkoi Raka.
Ai theksoi se të dyja vaksinat të cilat janë duke u dhënë në Kosovë janë të sigurta, ndërkaq bëri thirrje të mos dëgjohen teoritë konspirative për vaksinat dhe afatin e skadimit.
“I vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneka dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan. Mos rrezikoni jetën Tuaj dhe të afërmve me teori konspirative e dezinformata për vaksinat dhe afatin e skadimit nga askush”, shkruan ndër të tjera mikrobiologu Raka.
Postimi i plotë:
VARIANTIN DELTA E MPOSHTIM VETËM ME VAKSINIM!
Kur u zbulua varianti Delta?
Ky variant u zbulua në Indi, në Dhjetor të vitit 2020. Tashmë, është raportuar në afër 100 shtete të botës dhe është bërë dominant në Indi, Mbretërinë e Bashkuar (MB) dhe Rusi.
A përhapet më lehtë se variantet e tjera?
- Shumë më shpejt!
Rezultatet nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë që varianti Delta është 55% më i transmetueshëm se sa varianti Alfa (varianti britanik).
Por, rritja e rasteve në Britani nuk është përcjellë me rritjen e hospitalizimeve dhe vdekjeve, pikërisht për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit. Në Qershor shkalla e hospitalizimit ishte 2 persona të hospitalizuar në 100.000 banorë. Gjatë valës paraprake në dimër me variantin britanik, kjo shifër ishte 36 pacientë në 100.000 banorë.