Ferizaj.05.01.2018. Banorët e një ndërtese afër gjimnazit “Dr.Shaban Hashani” në Ferizaj, po shprehin shqetësim për ndërtimin e një objekti banesor shumë afër ndërtesës ku ata jetojnë. Përveç kësaj, ata fajësojnë ndërtuesin e kësaj ndërtese se ua ka rrënuar rrethojat e oborrit të ndërtesës në të cilën banojnë.
“Nuk na kanë pyetur fare e po e ndërtojnë, nuk e dimë se kush ja ka dhënë lejen e çka kanë bërë, po thonë 10 kat e si të ndërtohet 10 kat ne më dritë me sy nuk shohim, nuk e dimë se kush u ka dhënë lejen po thonë Faik Grainca, çka të bëjmë ne, edhe këto rrethojat që i kanë dëmtuar ai nuk ka të drejtë me hi hiç këtu, por nuk po na pyesin, nuk është e drejtë kjo, ndërtimet bëhen por duhet me pas parking e gjelbërim e ky nuk i ka asnjërën, nuk e di se si po i japin leje, por më duket po i marrin do bakshishe për vete e që po na dëmtojnë neve nuk po nin”,tha Behxhet Miftari.
“Problem është ndërtim privat ai e ndërton sa donë, por 10 banesa sa janë në këtë anë do u zihet drita e delli e të gjitha, nga komuna ose diçka nuk na kanë thanë asgjë vetëm kur e kemi pa ndërtimin, kjo është pronë private e ka levërdinë ndërtuesi e komuna, duhet me pas ndonjë plani që mos me u zënë drita tjetrit e me pas ndonjë plan, ne kemi bërë ankesë për këto rrethoja, kuptohet që duhet me i hekë derisa t’i kryejnë punët, por nuk i kanë rregulluar ende, e është rrezik për fëmijët këtu se munden me ra”, tha Isuf Krenzi.
Ndërsa, drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu, tha se janë duke i analizuar mundësitë se si të veprojnë me objektet e tilla.
“Unë kam dhënë një urdhër për me pa nëse objekti ka filluar të ndërtohet në pikat siç e ka në lejen ndërtimore dhe sigurisht që është çudi edhe e imja që objekti është saktësisht në pikat në të cilat e ka lejen ndërtimore, ndërsa kushtet teknike është një çështje tjetër, sa është dashur me u dhënë leje ndërtimore dhe sa i plotëson kushtet është një çështje tjetër që normalisht që jo, ne jemi në një pozitë të rëndë për të marrë vendime të preme sepse është një konflikt në mes të qytetarit, ndërtimtarit dhe komunës, të gjithë janë të cenuar dhe situatave që kanë me qenë të shtrenjta për të ardhmen e secilit, ne në aspektin ligjor kemi të drejtë me rishiku lejen ndërtimore, por edhe është e drejta e investitorit për mu anku edhe me na paditë nesër se ka marr leje prej komunës dhe ne do të përballemi me këtë pse komuna ka lëshuar leje në një vend, në një pozitë ku nuk ka kushte dhe nuk janë respektuar kushtet urbanistike dhe jo prej ndërtuesit, por kushtet urbanistike janë shkelur nga vetë komuna dhe hapat që do t’i marrim tani bashkë me Ministrinë e Mjedisit janë ose duhet të marrim vendime për me i ndërpre ose duhet me marrë me i rishiku lejet me i tkurrë edhe pse është problematike me zvogëlu gabaritin e objekteve ose me marr vendim me i rrënu dhe pastaj komuna mi bartë pasojat financiare nga paditë që ata i bëjnë”,tha Aliu.
Megjithatë, punët për rregullimin e këtij objekti, që është në ndërtim e sipër, janë duke vazhduar, transmeton Televizioni Tema.