11,09,2025

Qytetarët më nuk do të paguajnë për veriun, rryma lirohet për 3,5%

Must Read

Faturat e energjisë elektrike të muajit dhjetor do të vijnë më të lira për rreth 3,5%. KEDS-i, KOSTT-i dhe KESCO janë udhëzuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që kostoja e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës të mos mbulohen më përmes tarifave përfundimtare. Heqja e kësaj kostoje nga tarifat nënkupton që qytetarët do të paguajnë rreth 3,5 për qind më lirë tarifat e energjisë elektrike, përkatësisht për aq do të ulen faturat e energjisë.

“Kostot e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës sipas aktvendimit të gjykatës nuk do të vazhdojnë të mbulohen përmes tarifave përfundimtare deri në vendosjen e çështjes meritore nga gjykata”, thuhet në shkresën që ZRRE-ja ua ka dërguar palëve të interesit.

Zbatimi i kësaj urdhërese do të bëhet nga data 1 dhjetor, që do të thotë se ulja do të vërehet në faturat e muajit dhjetor që zakonisht vijnë pas datës 26 dhjetor.

Tutje në shkresën e ZRRE-së është cekur se koston e furnizimit të komunave veriore me energji elektrike duhet ta mbulojë Qeveria e Kosovës përmes një mekanizmi të veçantë.

“Për të siguruar furnizim me energji elektrike si e drejtë kushtetuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës (përfshirë edhe specifikisht edhe qytetarët e katër komunave veriore) dhe për të mos rrezikuar likuiditetin financiar dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar (ENTSO-E) të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut, gjatë kësaj periudhe duhet të gjendet një mekanizëm kompensimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në shkresën që e kanë pranuar ndërmarrjet energjetike nga KEDS-i.

Tutje, ZRRE-ja ia kujton qeverisë se është kompetencë e tyre që t’iu sigurojë qasje KEDS-it dhe KOSTT-it në katër komunat veriore.

“Për të ushtruar funksionet e veta të parapara me ligj në fuqi, operatorëve të licencuar duhet t’u sigurohet qasje e sigurt në asetet e të licencuarve në katër komunat veriore. Kjo qasje duhet të sigurohet nga institucionet e Republikës së Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në shkresën e ZRRE-së.

Tutje në shkresën e ZRRE-së thuhet se heqja e kostos së furnizimit të veriut nga tarifat e energjisë duhet të fillojë së zbatuari nga data 1 dhjetor 2017.

“Udhëzohet KOSTT, KEDS dhe KESCO që të zbatojë tarifat sipas shtojcës së bashkangjitur kësaj shkrese, deri në një vendim i cili pritet të merret nga Bordi i ZRRE-së, pasi ky organ të funksionalizohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën e ZRRE-së.

Në fillim të vitit, ZRRE-ja kishte vendosur që të vazhdojë praktika që kosto e furnizimit të qytetarëve në komunat veriore do të mbulohet nga paguesit e rregullt të energjisë elektrike në Kosovë. Ndryshimi i vetëm që do të jetë gjatë këtij viti është ndërmarrja që do t’i shlyejë këto borxhe ndaj KESCO-s.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që koston e furnizimit të veriut me rrymë si dhe Fondin për Energjinë e Ripërtërishme të bartë tek Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT, KOSTT).

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj me WiFi falas në shesh

Ferizaj po hyn në një etapë të re të digjitalizimit dhe modernizimit të hapësirave publike. Në ditët dhe javët...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img