26,12,2024

QKMF ofron mamografi falas për gratë gjatë muajit tetor

Must Read

Për të parë nga afër se si po funksionon mamografi në Ferizaj, reparti ku ndodhet ky aparat për radiografinë e gjirit, u vizitua nga kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt, Kristina Gashi Bytyqi dhe drejtori i Shëndetësisë në këtë qytet, Besnik Berisha. Gjatë kësaj vizite e cila u bë në kuadër të fushatës sensibilizuese për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, kryesuesja e Kuvendit njoftoi se gjatë tërë muajit institucionet qeveritare lokale, aktiviste të shoqërisë civile, si dhe kuadri mjekësor, do të jenë të gatshëm të ofrojnë informacione dhe ndihmë për qytetarët e kësaj komune, lidhur me zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje.

“Vazhdimisht nëpër këto aktivitete unë po bëj thirrje tek të gjitha femrat, nënat dhe motrat tona që nëse asnjëherë nuk kanë bërë kontrolle të gjirit të fillojnë dhe t’i bëjnë ato, sepse çdo zbulim i hershëm dihet që ka edhe shërim shumë më të shpejtë. Jam e lumtur që në institucionet shëndetësore në Ferizaj janë aparaturat, por është edhe kuadri profesionistë, që sipas informacioneve që sot mora, është shumë i përkushtuar në punën që po bën”, tha Gashi – Bytyqi.

Shefi i diagnostikës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare Xhevdet Haxhidema, tha se ky institucion ka paraparë që gjatë muajit tetor  të gjitha ekzaminimet për kancerin e gjirit të bëhen pa pagesë.

“Ky ekzaminim në QKMF-në e Ferizajt ofrohet me shumë profesionalizëm, këtë e dëshmon edhe fakti se ne jemi qendër referente për shumë profesionistë të fushës, për shembull për kirurgët torakal, ku referojnë pacientë edhe jashtë Ferizajt.  Të gjithë pacientët dalin të kënaqur me marrjen e shërbimeve të kompletuara”,tha Haxhidema.

U bë e ditur se vetëm në javën e parë të muajit tetor mamografinë vullnetarisht e kanë bërë mbi 20 gra.

“Unë erdha sot për mamografi, kam dëgjuar se këtë muaj është pa pagesë dhe pse jo erdha për ta bërë. Në fakt është hera e dytë që po e bëj, por pse mos me i bë kontrollet ashtu siç thonë mjekët në çdo gjashtë muaj ose së paku një herë në vit. Shyqyr që i kemi afër këto shërbime”, tha Arife Hoxha.

Derisa gjatë këtij muaji të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit mamografia bëhet pa pagesë, muajve të tjerë ky shërbim kryhet me një çmim simbolik prej 6 eurosh si dhe me termine paraprake.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img