Ata po e shohin krizën politike si pengesë për realizimin e premtimeve të tyre.
Nënkryetari i PDK-së, Adem grabovci thotë për Zëri se kriza politike, bllokada pas zgjedhjeve për gjashtë muaj, dhe tash për më shtatë muaj, kanë ndikuar që t ë mos mund të realizohen premtimet e dhëna në fushatë.
“Fatkeqësisht pas konsolidimit të institucioneve të reja u vazhdua me një tentativë tjetër për të bllokuar dhe shkaktuar një krizë politike me mjete të dhunshme, të papranueshme, antikushtetuese dhe padiyshim se këto kanë ndikuar në mospërmbushjen apo mosrealizimin e shumë premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale”, ka thënë Grabovci.
Nënkryetari i LDK-së, haki Rugova ka thënë se pavarësisht pengesave, kryeministri Mustafa dhe koalicioni qeverisës po i realizojnë premtimet.
“Po si parti, mendoj se kemi realizuar dhe jemi duke realizuar premtimet. Sigurisht që kriza politike ka shkaktuar dëmet e veta, jo bash të vogla. Por mendoj që rezultatet janë evidente të Qeverisë”, ka thënë Rugova.
Por, në anën tjetër analistët thonë se premtimet e dy partive në pushtet ishin boshe dhe të parealizueshme, duke qenë se nuk kanë vullnet asnjëra parti që ta bëjë këtë. Sipas tyre, kur po bëhen dy vjet që nga mbajtja e zgjedhjeve, partitë në pushtet nuk përmendin premtimet e dhëna në fushatën parazgjedhore.
Analisti Fadil Lepaja, thotë se partitë në pushtet dështuan në planin për krijimin e vendeve të punës, i cili ishte premtimi kryesor i tyre, që sipas tij, tregon mosrespektimin e plotë të qytetarit dhe votuesit nga ana e tyre.