Pas publikimit të listës së punëtorëve të shkollës Qendra e Kompetencës në FerizajPress përmes një komunikate ka reaguar stafi i kësaj shkolle me arsyetimin se lista që është shfrytëzuar për artikullin ka pasur gabime teknike.
Reagimin e plotë të Shkollës Qendra e Kompetencës ,mundë ta lexoni në vazhdim.
Përmes jush, dëshirojmë të njoftojmë gjithë opinionin lidhur me artikullin tuaj të titulluar: “Skandaloze: Degradimi i arsimit në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj”, ku për burim keni marrë një listë të shpallur në web-faqen e shkollës sonë që është në fazën fillestare të punës dhe që nuk janë të përpunuara detajisht të dhënat e publikuara në të. Lista në fjalë, e publikuar në web-faqen e shkollës sonë përmaban lëndët dhe kualifikimet e mësimdhënësve dhe është përdorur nga dizajnuesi i faqes më shumë për provë teknike dhe me siguri gjatë provave të shpeshta është devijuar ndonjë kolonë, ku nuk përputhen emrat e mësimdhënësve me kualifikimet e tyre, që do të thotë se është fjala thjesht për një gabim teknik.
Të gjithë ata që kanë dyshime rreth kësaj liste janë të mirëseardhur për verifikim në zyret e shkollës sonë, përfshirë edhe stafin e portalit ferizajpress, përndryshe, së shpejti bëhet edhe përmirësimi në web faqe.
Portali ferizajpress.com është portal serioz dhe ka mundur të jetë i informuar rreth procesit të rekrutimit dhe kualifikimit të mësimdhënësve dhe për gjithë ecurinë e punës sonë.
Është pak e habitshme për ne se si është përdorur vetëm një referencë nga një webfaqe, që ju e dini që është në fazën fillestare, pa e konsultuar fare stafin administrativ të Qendrës së Kompetencës, së paku për të verifikuar gjendjen faktike dhe jo për të botuar një artikull me një listë, të cilën e përsëris, nuk është e saktë dhe është gabim teknik, ku nga prerjet e kolonave të emrave nuk korrespodojnë emrat karshi kualifikimeve përkatëse. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se ne po aludojmë për çfarëdo tendence, por me pak konsultime do të mund të evitoheshin edhe gabimet tona teknike edhe portalit ferizajpress.com do t’i mungonte fjala “skandaloze”, e përdorur kohët e fundit aq shpesh.
Shpresojmë se edhe portali ferizajpress ta botojë këtë sqarim duke mos lejuar keqkuptimet dhe trajtim joadekuat për këtë institucion që shquhet për vlera, për suksese, për staf shumë të zellshëm e të përkushtuar në punë dhe për transparencë të plotë karshi nxënësve, prindërve dhe mediave.
Sqarim i Redaksisë së FerizajPress
FerizajPress nuk ka pasur asnjëherë qëllim të krijimit të aferave. Gjatë punës sonë jemi munduar vetëm të paraqesim shqetësimet e qytetarëve për problemet dhe ngjarjet që ndodhin në Ferizaj dhe rrethinë.
Artikulli është bazuar në ankesat e qytetarëve të cilët pas publikimit të listës në faqen zyrtare të websit-it të shkollës Qendra e Kompetencës kanë reaguar dhe kanë shkruar në redaksinë e FerizajPress.
Arsyetimi se faqja ende nuk është komplete duket jo bindës pasi ata që kanë njohuri në këtë lëmi e dinë që faqet që janë në përpunim nuk bëhen publike mu për shkak të gabimeve.
Ndërsa sa i përket asaj pse nuk është konsultuar menaxhmenti i shkollës për këtë redaksia e ka konsideruar të panevojshme për faktin se ajo që publikohet në një faqe zyrtar nuk ka nevojë edhe njëherë për konfirmim.
Për fund redaksia konsideron se nëse kjo ka qenë vetëm një gabim teknik e që jo pak ka ndikuar në imazhin e kësaj shkolle është dashur që edhe të merren masa ndaj atyre të cilët kanë lejuar që diçka e tillë të bëhet publike./Ferizajpress.com
Skandaloze: Degradimi i arsimit në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj