Tre punëtorë të kompanisë e cila siguron hapësirat e “Bechtel & Enca” janë kapur nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit dyshohet se kanë vjedhur mbi 1600 litra derivate të kësaj kompanie e cila po kryen punimet në autostradën “Arbër Xhaferi”.
Për arrestimin, Policia ka njoftuar në raportin e saj 24 orësh. Te zbulimi i bidonëve me derivate të vjedhur ka ardhur pasi policia ka kontrolluar një veturë të llojit kombi e parkuar në një rrugë në fshatin Bob të Kaçanikut.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, pasi që gjatë kontrollit në automjetin e tyre janë gjetur dhe konfiskuar 83 bidonë të mbushur me derivate që dyshohet të jenë vjedhur në kompaninë ku të dyshuarit ishin duke punuar si punëtor sigurimi”, njofton Policia.
PK, njofton se gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të arrestuarit janë gjetur edhe 6 bidonë tjerë me derivate.
Gazeta Express merr vesh se shtëpia që u bastis ajo pranë të cilës ndodhej automjeti i parkuar, në të cilin e gjeten bidonë me derivate të vjedhura, në Bob të Kaçanikut.
Burime të gazetës tregojnë se në momentin kur polica gjeti kombin, pa targa, të parkuar të dyshuarit nuk ndodheshin aty. Më pas, pasi zyrtarët policorë filluan veprimet për konfiskim të automjetit janë paraqitur tre të dyshuarit.
Persona e arrestuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, derisa rasti po trajtohet si “Keqpërdorim i besimit”.