18,11,2024

Punësimet sezonale, vjen lajmi i keq për kosovarët

Must Read

Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës.

Mimoza Kqiku, këshilltare për informim e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se janë në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje me ndonjë nga vendet e BE-së për punësim sezonal, mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Aktualisht, ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve tanë në këto shtete përkatëse, por jemi duke bërë përpjekje maksimale, jemi duke u takuar me ambasadorët e këtyre shteteve që të paktën të kemi në marrëveshje të tillë deri në fund të këtij viti”, thotë Kqiku.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është mbi 30 për qind.

Nisur nga ky nivel i lartë i papunësisë, punësimi sezonal në vendet e Bashkimit Evropian konsiderohet si një mundësi e mirë për të rinjtë. Në të kaluarën Kosova ka pasur marrëveshje për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë.

Përfaqësues të bizneseve kërkojnë më shumë angazhim institucional për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se derisa mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarve në Kosovë janë shumë të vogla, alternativa më e mirë është punësimi sezonal.

“Punësimi sezonal në të kaluarën ka ndodhur edhe në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë vendit, por jashtë vendit ka qenë një numër i vogël karshi kërkesave që ka pasur. Është neglizhencë e institucioneve të vendit që nuk kanë qenë angazhuar në arritjen e marrëveshjeve me vendet e BE-së për këtë punësim. Punësimin sezonal e ka vështirësuar edhe mosliberalizimi i vizave”, thotë Shahini.

Të rinj të anketuar thonë se do të punonin punë sezonale kudo dhe në cilindo shtet ku do t’u ishte ofruar mundësia.

Arlinda, një e re nga qyteti i Podujevës thotë se do t’i ndihmonte një punë sezonale në ndonjë nga vendet e BE-së dhe në Kosovë, por ofertat për një gjë të tillë, janë të pakta.

“Unë kam përfunduar shkollën e mesme tani jam duke bërë një praktikë si laborante e biologjisë. Sikur të kisha ndonjë ofertë për punë sezonale do ta pranoja me shumë dëshirë, porse nuk ka oferta të tilla në tregun e Kosovës”, thotë ajo.

Alban Reka thotë se interesimi i të rinjve për punë sezonale nuk mungon, por institucionet, sipas tij, nuk kanë bërë asgjë për të krijuar mundësi të tilla për të rinjtë:

“Patjetër që do të punoja punë sezonale. Është një punë që do të ndihmonte mirë ekonomikisht”, shprehet Albani.

Ndryshe, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img